Revoltat ndaj ardhjes së këngëtarit serb Goran Bregovic në qytetin e Korçës nuk kanë të ndalur. Thuajse i gjithë showbiz-i dhe artistët tanë kanë reaguar të indinjuar dhe kanë kërkuar që Bregovic të mos vijë në Shqipëri. Reperi Capital T është i radhës, i cili jo vetëm që ka kërkuar bojkot nga ndjekësit e tij, por dhe vetë ka tërhequr ftesën e hapjes së koncertit.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Capital-i ka reaguar i indinjuar ku dhe është shprehur se Shqipëria ka artistë mjaftueshëm dhe nuk kemi nevojë të marrim nga jashtë.
E ndjeva të rrugës që të reagoja për eventin e festës së birrës në Korçë për faktin se unë isha i ftuar për të bërë hapjen e atij evenimenti dhe realisht isha shumë i lumtur që të jem aty, afër njerëzve që e duan muzikën time edhe e duan prezencën time aty, por kur pashë se një artist serb siç është Goran Bregovic, prej të cilit janë inspiruar forcat serbe dhe kanë kënduar këngët e tij gjatë luftës në Kosovë, atëherë u detyrova që të anuloja performancën time. Iu kërkoj falje të gjithëve! I bëj thirrje bashkisë së Korçës, absolutisht që të anulojë prezencën e tij në Shqipëri për faktin se konflikti Kosovë-Serbi është ende i hapur dhe nuk i takon asaj si institucion shtetëror që të sjellë një artist serb këtu në Shqipëri.
Para reperit, disa nga artistet që kanë reaguar kanë qenë Besa Kokëdhima dhe Vesa Luma, të cilat janë shprehur kundër ardhjes së tij në Shqipëri. Ndërkohë, edhe këngëtarë, artistë dhe personazhë të tjerë pjesë të showbiz-it janë bërë bashkë me një qëllim të vetëm, mbylljen e kësaj feste, apo ndalimin e ardhjes së Bregovic në Shqipëri. Fatma Haxhialiu dhe Fjoralba Ponari, gjithashtu kanë bërë postime në Instagram ku janë shprehur totalisht kundër ardhjes së tij.