Aktualitet Fol

Në Shqipëri do të kemi një “burg të hapur” ku pritet që të kryejnë dënimin vetëm personat e…

Burgu i grave në Shqipëri po diskutohet që të mbyllet dhe të kthehet në burg të hapur, ku do dërgohen shtetas të dënuar në gjysëm liri, pra ata qytetarë të gjendur fajtorë nga gjykatat, që ditën largohen për të punuar dhe në darkë kthehen në qeli. Por ngelet e paqartë se si do të  vihet në zbatim një dënim i tillë për shtetas që vendin e banimit dhe punën nuk  e kanë në Tiranë. Zyrtarisht pranohet se 9-fishi i shtetasve të dënuar po e vuajnë dënimin jashtë burgut me dënime alternative, detyrim paraqitje, punë me interes publik dhe liri me kusht. Të tillë janë 10 360 persona. Ndërsa në burg mbahen si të dënuar të formës së prerë 1724 persona. 2891 të tjerë kanë statusin e të paraburgosurit dhe prezumohen të pafajshëm gjersa gjykatat të flasin.

Pavarësisht ligjit që parashikon gjysëm lirinë, në pesë vjet u aplikua një dënim i tillë vetëm për 97 persona. Kjo shifër e ulët raportohet për shkak të mungesës së një institucioni në sistemin penitenciar. Ndërkohë që ky lloj dënimi ju vjen në ndihmë të dënuarve që po arsimohen, dikujt që ndjek një terapi apo ka përgjegjësi familjare dhe kryhet për krime jo më të larta se një vit burg.

Në episodin e radhës në podcastin “Fol me Anila Hoxhën” ka qenë i ftuar Florjan Kalaja, Gjyqtar Apeli për korrupsionin dhe krimin e organizuar për të folur mbi qëndrimet e gjykatave dhe risitë e ligjit mbas reformës në drejtësi dhe jo vetëm kaq.

Pjesë nga intervista: 

Anila Hoxha: Realisht institucionet shqiptare janë duke u bërë gati që të aplikojnë dhe të hapin një burg gjysëm të hapur dhe që është e vërtetë që mungon infrastruktura. Por nga ana tjetër mos kemi ne, një shoqëri apo sistem gjyqësor, të cilët ngurojnë të japin dënime shumë të lehta apo e  ri-integrojnë individin, i japin shance atij të vazhdojë jetën dhe ndërkohë të korrigjohet edhe ndoshta nga ky presioni që shoqëria është mësuar që gjykata duhet të japë vetëm burg, duhet të dënojë vetëm me burg dhe të gjitha dënimet e tjera duket sikur nuk janë dënime.

Florjan Kalaja: Në fakt, unë kam qenë edhe pjesë e një studimi, nga këtu ka dalë edhe lirimi me kusht. Kam shkruar posacërisht, vetëm për njërin nga alternativat e dënimit duke bërë edhe një monografi timen për këtë. Edhe tek ky studimi që bëmë pamë që në të vërtetë, kjo është e diskutueshme, është relative një konkluzion i tillë që gjyqtarët janë të vetëpërmbajtur, gjyqtarët janë të kufizuar për të konceptuar apo për të dhënë, për ta konceptuar dënimin si ndryshe nga kjo forma klasike, dënimit me burgim dhe për t’a ekzekutuar atë qoftë edhe me alternativa dënimi. Pse e them këtë? Sepse është shumë frekuente zbatimi i nenit 59, “pezullimi i ekzekutimit të dënimit” dhe “vënia e të dënuarit në provë” . Është shumë frekuente sikurse është frekuente shumë zbatimi i nenit 63,  “puna në interes publik”, për disa vepra penale të caktuara  dhe këtu kam një lloj dileme dhe një lloj paqartësie që nuk e shpjegoj dot deri në fund, pse nuk i qasemi në të njëjtën mënyrë, apo me të njëjtën frekuencë edhe nenin 59/a,  “qëndrimit në shtëpi”,  si formë e vuajtjes së dënimit me burgim apo edhe gjysëm liri.

Anila Hoxha: Mbase është e vështirë edhe gjithë historiku sepse Shqipëria dështoi me “mbikëqyrjen përmes byzylykëve”, po e quajmë kështu. U aplikua vendosja e byzylykëve që do të monitoronte individët, personin e dyshuar në këtë rast, por ajo nuk ishte një histori e suksesshme, ndoshta sepse do të duhej që policia të kishte kapacitet më të forta. Ne kemi parë raste kur individë me “arrest shtëpie” ka qenë shumë e vështirë që të monitorohen dhe ndoshta kjo mund të jetë një arsye.