Bota

Në SHBA, rreth 200 milion njerëz po përballen me nxehtësi ekstreme ose përmbytje!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 200 milion njerëz ose afro 60% e popullsisë amerikane po paralajmërohen për të nxehtin ose për përmbytje, ndërsa temperaturat e larta përhapen dhe stuhi të reja priten në zona të ndryshme.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se dje, një valë e rrezikshme e të nxehtit përfshiu verilindjen e qendrën e Atlantikut e do të vazhdojë deri në fundjavë. Stuhi të forta e përmbytje të shpejta parashikohet se mund të godasin zonat në verilindje e në jug.

Prej kohësh, shkencëtarët kanë paralajmëruar se ndryshimi i klimës, i nxitur nga djegia e lëndëve fosile do të çojë në periudha të zgjatura e më të shpeshta të motit ekstrem.

Për vapën e vazhdueshme, parashikimi vjen një ditë pasi Organizata Botërore Meteorologjike dhe Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Europian, “Copernicus” shpallën korrikun 2023 si muajin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

Një ditë më parë, nxehtësia dhe lagështia në qytetet e mëdha përgjatë Bregut Lindor përfshirë Uashingtonin, Filadelfian e Nju Jorkun, bënë që temperaturat të ishin ndjeshëm mbi 38 gradë Celcius. Për shkak të nxehtësisë ekstreme, dy nga rrjetet më të mëdha të energjisë në vend janë nën presion, çka mund t’iu kufizojë amerikanëve mundësinë për t’u freskuar.

Dy ditë më parë, rrjeti më i madh energjetik i vendit, PJM Interconnection shpalli alarmin e emergjencës energjetike të nivelit të parë për rrjetin e tij në 13 shtete. Kjo do të thotë se kompania është e shqetësuar për aftësinë e saj për të siguruar energji elektrike të mjaftueshme.

PJM-ja nuk është i vetmi rrjet elektrik që ka lëshuar një alarm të tillë. Operatori i Pavarur i Sistemit Midcontinent, dje lëshoi një alarm të ngjashëm.

Edhe Operatori i Pavarur i Sistemit të Kalifornisë lëshoi një alarm emergjence energjie për mbrëmjen e 26 korrikut, pjesërisht për shkak të nxehtësisë së tepërt në Kaliforninë Jugore, por alarmi u shua në po të njëjtën ditë.

Një zëdhënës i Këshillit të Besueshmërisë Elektrike të Teksasit tha se ata presin që rrjeti i tyre të funksionojë si zakonisht, pavarësisht valës së fundit të motit ekstrem në të gjithë vendin.