Bota

Në samitin e Zvicrës pa Rusinë, Ukraina kërkon rrugën e paqes/Presidenti Begaj mes pjesëmarrësve!

Dhjetëra liderë botërorë janë mbledhur në Zvicër, në përpjekje për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare në Ukrainë, por mungesa e zyrtarëve rusë dhe kinezë i zbeh shpresat për ndonjë arritje të madhe. Një ditë para samitit dyditor, Vladimir Putin i bëri thirrje Kievit të heqë dorë nga synimet për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe t’i dorëzojë plotësisht katër rajone të aneksuara nga Moska.

Propozimi i presidentit rus, të cilin Kievi e quajti “absurd” dhe “manipulues”, është shenjë e vendosmërisë së Putinit për ta vazhduar konfliktin. Më shumë se 90 vende dhe organizata ndërkombëtare po marrin pjesë në takimet e samitit, në një resort në qytetin Burgenstok.

Shqipëria përfaqësohet me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj në samitin dy-ditor ku gjithashtu marrin pjesë zv.presidentja amerikane, Kamala Harris dhe liderët e Francës, Gjermanisë, Kanadasë, Italisë, Britanisë së Madhe e Japonisë. E pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është nisur sot drejt Zvicrës për të marrë pjesë në samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën. Zyra e shtypit e Presidencës, bën të ditur se Samiti do të bazohet në diskutimet, veçanërisht mbi formulën e paqes në Ukrainë, propozimet e tjera të paqes bazuar në Kartën e OKB-së dhe parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare.

India, Turqia dhe Hungaria, tre vende që kanë marrëdhënie miqësore me Rusinë, nuk e refuzuan pjesëmarrjen. Zvicra ra dakord të presë takimin, me kërkesë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në përpjekje për ta hapur rrugën për një proces të paqes në të ardhmen, i cili do ta përfshinte edhe Rusinë.

Por, Moska nuk u ftua fare në këtë samit, të cilin zyrtarët ukrainas e kanë cilësuar si “samiti për paqe”. Edhe para deklaratave të Putinit të një dite më parë, zyrtarët rusë e kanë hedhur poshtë samitin duke e quajtur të “pavlerë”.

Kjo nxiti Kinën, partnere e madhe e Moskës në tregti e që mbështet shumicën e qëndrimeve të Rusisë në arenën ndërkombëtare, ndaj vendosi të mos marrë pjesë.

Çfarë mund të shpresojë Zelensky nga ky samit? Një tjetër hap të vogël drejt solidaritetit ndërkombëtar me Ukrainën si viktimë të agresionit rus, tha për Reuters-in Daniel Woker, ish-ambasador zviceran.