Lifestyle Travel

Në qytetin ku bashkohen tri fe…

Qyteti Tarsus në Turqinë lindore, shumë pranë kufirit sirian, është një qendër e historisë, fesë dhe ushqimit. Tarsus fillimisht u ndërtua afër lumit Cydnus dhe qyteti ishte një faktor me rëndësi në tregti që në vitet 1600-1180 p.e.s, kur sundohej nga Hititët, një qytetërim i lashtë. Në vitin 67 p.e.s, nën sundimin romak, ai u bë kryeqyteti i Cilicia Pedias, një zonë pjellore në Turqinë moderne juglindore.

Në kohët e lashta, Tarsus ishte i njohur si një qendër për arsimin, filozofinë dhe universitetet e rëndësishme. Qyteti është një vend ku mund të eksplorosh xhamitë dhe kishat shekullore dhe të shohësh drejtpërdrejt se si krishterimi dhe islami kanë bashkëjetuar dhe kanë formësuar jetën e pasur kulturore të qytetit. Pelegrinët mund të vizitojnë Kishën e Shën Palit, i njohur gjithashtu si Muzeu Përkujtimor i Shën Palit, i cili lindi pikërisht në këtë qytet.

I porositur nga komuniteti ortodoks në 1850, muzeu u ndërtua në një vend kulti shumë më të hershëm që daton në shekullin e 11-të ose të 12-të. Po në këtë qytet, mendohet të ketë ndodhur historia biblike e Danielit, i cili u hodh në një gropë luanësh për t’iu lutur Perëndisë së tij. Legjenda thotë se luanët e lanë Danielin të paprekur, duke bërë që Dariusi, mbreti i Babilonisë, i cili e kishte dërguar atje, të njihte Perëndinë hebreje. Në versionin turk të tregimit, Danieli vdiq në Tarsus, pasi kishte udhëtuar atje në pleqëri për t’u lutur për shi gjatë një thatësire.

Jo shumë larg, ndodhet dhe Ulu Camii e shekullit të 16-të, Xhamia e Madhe e Tarsusit. Pranë xhamisë, shtrihet dhe Kırkkaşık Bedesten, një treg i mbuluar, i ndërtuar në vitin 1579 që shquhet për punimet dhe shitjen e qeramikave dhe suvenireve. Tarsus ofron një përzierje të mrekullueshme të feve dhe kulturave, ku Krishterimi, Islami dhe Judaizmi e shohin qytetin si një vend në të cilin kanë ndodhur shumë prej historive më të rëndësishme.