Aktualitet

Në pritje të vendimit të Apelit, Rudina Hajdari: PD-ja, jo pronë private!

“Në demokraci, opozitën e zgjedh populli, jo gjykata”. Kjo është pankarta e vendosur pranë hyrjes kryesore të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që mblidhet në këto çaste për të vendosur mbi fatin e vulës e logos së Partisë Demokratike. Atje ka shkuar ish-deputetja demokrate, Rudina Hajdari, e cila për mediat deklaroi:

Unë jam këtu si një qytetare e thjeshtë, por edhe si një person i lidhur fort ngushtë me Partinë Demokratike. PD-në, unë e konsideroj si familjen time duke marrë parasysh se Azem Hajdari, im atë, rrezikoi jetën me studentët e dhjetorit për të formuar këtë Parti Demokratike dhe në fund dha jetën për parimet demokratike, siç është një shoqëri e lirë.

Në fakt, po të marrësh parasysh, ajo që po ndodh këtu sot është e paprecedentë në asnjë vend të botës. Po shkelet me këmbë vullneti. Kryetari i partisë duhet të zgjidhet nga anëtarët e asaj partie dhe unë dua t’i kujtoj të gjitha partive, gjykatës, se ky është problem që na përket të gjithëve. T’ia lëmë popullit të vendosë.

Ajo që më shqetëson mua është se ne jemi para një procesi që po e trajton PD-në si pronë private. Pra, kush do ta gëzojë PD-në, zoti Basha apo zoti Berisha.

PD është një aset publik që ka 32 vite që ekziston, ka pasur studentët e dhjetorit që rrezikun jetën e tyre për të shembur atë regjim. PD është ajo parti që nëpërmjet kontribuesve të ndryshëm bëri gjëra shumë të mira dhe është opozitë në këtë vend. Duhet të vendoset me zgjedhjen e anëtarëve të PD-së. Unë e inkurajoj gjykatën që ta shohë këtë çështje me vëmendje.

Po e them edhe si nënë se unë jam e shqetësuar për të ardhmen e këtij vendi. I gjithë procesi është falsitet. Nuk mund të kemi një proces të tillë për një parti politike që të trajtohet si pronë private.