Aktualitet

Në pranga dy punonjës të një agjencie turistike, mashtruan klientët

Dy shtetas, punonjës të një agjencie turistike janë ndaluar pasi dyshohet se kanë përfituar rreth 15 000 euro, duke mashtruar klientët e agjencisë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, në vijim të punës për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Travel”. Si rezultat i operacionit u ndaluan shtetasit K. K., 22 vjeç, dhe R. H., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Këta shtetas dyshohet se kanë mashtruar klientë të agjencisë së udhëtimit ku ishin të punësuar, pasi iu kanë marrë atyre paratë për rezervimin e biletave për vajtje, ardhje dhe për akomodim në hotel, por kanë blerë vetëm biletën për vajtje në destinacion.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë/ ATSH