Rajoni

Në Potoçar do të prehen edhe 50 viktima të masakrës së Srebrenicës!

Eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të identifikuara kohët e fundit u vendosën sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari, aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera, të masakrës më të rëndë në Europë të pas Luftës së Dytë Botërore. Në Bosnje-Hercegovinë sot shënohet 27-vjetori i kësaj masakre të shkaktuar nga forcat serbe, që gjatë luftës së viteve ’90 vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid, por serbët e Bosnjes e Beogradi zyrtar, jo.

Në Potoçari, ceremonitë përkujtimore i ndoqën mijëra vetë. Hamdija Fejziç, kryetar i Komitetit Organizativ për Përkujtimin e Përvjetorit të Gjenocidit dhe nënkryetar i Komunës së Srebrenicës, tha se ishte me fat që i mbijetoi gjenocidit.

Ngjarja e tmerrshme, kurrë nuk duhet të bëhet vetëm një fusnotë në historinë e njerëzimit. Zyrtarët në Bosnje, të ndërmarrin hapa konkretë për ta bërë Srebrenicën një qytet jete, jo vdekjeje. Në Srebrenicë, fëmijët e lindur pas gjenocidit, rriten dhe ata janë shpresa jonë.

Michael Murphy, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë, deklaroi se “vrasjet në Srebrenicë janë një ngjarje e errët në histori, jo vetëm për Bosnje-Hercegovinën, por për të gjithë njerëzimin.

Masakra e Srebrenicës ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje e nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si genocid. Deri tani, 47 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burg për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, si dhe ish-komandanti, Ratko Mlladiç u dënuan me burgim të përjetshëm. Liderët politikë të serbëve në Bosnje e Beogradi zyrtar refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë pati genocid, ndërsa masakrën e quajnë “krim të madh”.

Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjen, Valentin Inzko, e shpalli “të paligjshëm mohimin e genocidit dhe të krimeve të luftës”, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg. Ligji shkaktoi zemërim te serbët e Bosnjes, që udhëhiqen nga Milorad Dodik. Për këtë arsye, ai nisi procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori e sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri.