Aktualitet Politikë

“Në parlament shahen, te klubi puthen…”- reagon Erion Braçe pas tensioneve në Kuvend!

Përmes një prononcim të shkurtër para mediave, Erion Braçe e ka cilësuar si false të gjithë “shfaqjen” e opozitës dhe aksionin e saj përpara kuvendit, ku u tentua bllokimi i deputetëve dhe më pas u dogjën 4 manekinë.

Braçe tha se janë të njëjtët deputetë që shahen në sallë nga mëngjesi në darkë, por te klubi puthen.

I pyetur nëse aksioni opozitar ngjante me aksionin e dikurshëm kur PS ishte në opozitë, Braçe u shpreh se asnjëherë nuk kanë shkuar në Kuvend me shishe me benzinë.

“Kanë tjetër shef ata, unë nuk bëhem dot shefi i tyre. Keni parë të vij ndonjëherë të vij me benzinë në Parlament? Ndonjë tjetër keni parë ndonjë tjetër me benzinë?

Aty shahet nga mëngjesi në darkë, hyni dhe të dëgjoni, poshtë lart etj. Te klubi, jo, te klubi puthen të gjithë”, tha Braçe.

Deputetët e Partisë Demokratike mbërritën këtë mëngjes në ambientet e Kuvendit, një orë para se të niste seanca plenare. Ata u përballën me Gardën e Republikës, që qëndronte përballë hyrjes kryesore, por edhe në hyrjet e tjera të Kuvendit. Ndërsa, dyert anësore ishin mbyllur me dryn.

Megjithatë, deputetët e opozitës tentuan të hyjnë me forcë në sallën e parlamentit, por pasi dështuan me këtë plan, u përpoqën që të paktën, të mos hyjnë brenda as kolegët e tyre socialist. Në këto çaste, pati për përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës.

Megjithatë, socialistët ia dolën të hyjnë në parlament, për të zhvilluar seancën plenare, që zgjati jo më shumë se 30 minuta.

Sekretariati i Etikës përjashtoi Flamur Nokën, Gazment Bardhin dhe Bledjon Nallbatin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Edi Palokën me 10 ditë. Ndërkohë 20 deputetët e tjerë u përjashtuan me 40 ditë.

Vendimi erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të PS për marrjen e masës disiplinore për 24 deputetë të PD, pas kaosit të shkaktuar në Kuvend ditën e hënë, dhe djegien e karrigeve.