Sot zhvillon punimet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në këto punime të parashikuara të nisin në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve pritet të jenë të pranishëm 1 mijë e 100 delegatë të sapozgjedhur nga proceset që Berisha organizoi në bazë, edhe për emrat e kryetarëve të degëve të PD-së.
Delegatët do të votojnë për përbërjen e Këshillit të ri Kombëtar e duhet të dalin 150 emra. Këtyre të fundit do t’u propozohet 22 maji si datë për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së, ndërsa në asnjë moment, Berisha nuk e ka fshehur synimin për të kandiduar për t’u rikthyer në drejtimin e kësaj force politike, prej 9 vitesh në opozitë, që përkojnë edhe me kohën kur dha dorëheqje si kryetar.
Me shpresën për të dhënë sinjale bashkimi, Berisha do të ftojë në Kuvend ish-bashkëpunëtorët, Jozefina Topalli e Arben Imami dhe të larguarit e fundit nga PD-ja, si Rudina Hajdari e Myslym Murrizi. Ftesat janë menduar edhe për figura të konsideruar si besnikë të Lulzim Bashës, ky i fundit i dorëhequr pas humbjes në zgjedhjet e pjeshme lokale të 6 marsit në bashkitë Durrës, Shkodër, Dibër, Rrogozhinë, Vorë e Lushnje.
Mes atyre në garë për një vend në Këshillin e ri Kombëtar, është edhe mjeku infeksionist Ilir Alimehmeti, por nuk mungojnë as figura të njohura të spektaklit e artit, si Renis Gjoka, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Fjoralba Dizdari apo aktivistja Adriana Kalaja.
“Akt përçarës për të dëmtuar Partinë Demokratike”, – e ka cilësuar Gazment Bardhi, Kuvendin e thirrur sot nga Sali Berisha. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se “ndërtimi i strukturave paralele, nga baza në qendër, nuk është gjë tjetër, vetëm një akt turpi për të dëmtuar Partinë Demokratike, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD-në nga beteja me regjimin e Edi Ramës”.