WhatsApp do të prezantojë së shpejti Communities, një risi për të menaxhuar më mirë grupet dhe për të pasur biseda më të dobishme. Ky opsion synon ndërlidhjen e grupeve me interesa të përbashkëta. Çdokush do të jetë në gjendje të krijojë një komunitet dhe të ftojë grupe të shumta për t’u bashkuar. Por grupet do të bëhen pjesë e komunitetit vetëm nëse administratorët e tyre përkatës e pranojnë ftesën.
“Administruesi i Komunitetit ka të gjitha kontrollet se cili grup hyn dhe cili grup qëndron jashtë. Ata gjithashtu mund të heqin mesazhet problematike në një grup,”–tha një zëdhënës i aplikacikonit. Meta nënvizoi se si njerëzit po përdornin WhatsApp-in gjatë valës së dytë në Indi për të marrë oksigjen dhe ilaçe, duke shtuar se një veçori si kjo do të ishte shumë e dobishme në një skenar të tillë. Communities do të mundësohet fillimisht për një grup të përzgjedhur përdoruesish dhe më pas do të jetë i disponueshëm për të gjithë.
Së fundmi, WhatsApp testoi disa veçori të reja për të përmirësuar përvojën e përdoruesve. Funksioni i fundit që u shtua është aftësia për të lidhur pajisjet e tjera pa pasur nevojë që telefoni juaj të jetë online. Me fjalë të tjera, përdoruesit e Android dhe iOS janë në gjendje të përdorin funksionin e WhatsApp Web, pa përdorur internetin në telefon. Më parë, përdoruesit mund të lidhnin telefonat me desktopët e tyre, por duhej t’i mbanin telefonat online.
Rikujtojmë gjithashtu se kompania “WhatsApp” punoi për të sjellë aftësinë për të dëgjuar një mesazh audio në iPhone para se ta dërgoni atë. Funksionaliteti u zbulua nga faqja “WABetaInfo”, e cila identifikoi kodin në një version të aplikacionit që nuk është ende i disponueshëm për përdoruesit përfundimtarë apo edhe testuesit beta.