Nga data 17 tetor, në kinema është rikthyer filmi më i dashur për publikun “Në Kuadër të Dashurisë” nga Top Channel Films. Një vit pas premierës së tij, ky film vjen këtë herë me 15 minuta më shumë me skena që nuk i kishim parë më herët. Se çfarë të presim nga kjo risi dhe pse duhet ta ndjekim patjetër, në studion e “Wake Up” ka qenë Koloreto Cukali, regjisori dhe skenaristi i këtij filmi…
Pse kjo ide për të sjellë 15 minuta skena që nuk ishin parë në filmin e parë?
Ky është versioni i filmit që bën regjisori dhe që producenti e do pak më të shkurtër për marketing. Filmat komedi në përgjithësi janë 90 minuta, po ta keni parë. Kjo për shkak të slotit në kinema. Tek versioni i parë u detyruam të hiqnim pjesë komike, që nuk e prishin historinë. Kështu që këtë herë ka më shumë pjesë komike. Ka më shumë skena.
Pse duhet ta shikojnë njerëzit këtë version?
Kam pasur miq të mitë që hoqën dorë sepse nuk gjetën vende të lira në kinema. Ky është një rast për të gjithë ata që nuk e kanë parë, ta shohin më të qetë dhe më të plotë.
Një skenë shumë interesante është dhe ajo në makinë me Olta Dakun dhe Ylber Bardhin (duke bërë seks)?
E kemi rikthyer si skenë, sepse producenti kishte shumë meraqe. Doja të ishte pak trasgresive, si prerja e penisit. Janë gjëra që mbase qarkullojnë mes grave, por jo në publik, që të mendosh t’ia presësh kur të tradhton. Qëllimi ishte të bënim dhe një provokim publik. Na ndodh që të shohim familje perfekte, por brenda është e shkërmoqur. Familja ka probleme shumë të mëdha dhe ky ishte provokimi që donim. Skena me Oltën u duk pak më shumë agresive, por është e vetmja skenë që kam qeshur me lot. Të dy aktorët ishin në maksimumin e tyre. Tani e kemi vënë atë skenë aty ku duhet, në vendin e vet.
Në këto 15 minuta të reja, a do të ketë dhe skena të Oltës dhe Luizit? Pasi kemi parë dhe posterin ku fotoja e Oltës është poshtë një palë këmbëve…
Ka nja 2-3, po. Nuk e komentoj dot atë skenë… (qesh).