Noizy sapo i ka shtuar sukseseve të tij një tjetër arritje në karrierë, teksa tashmë do të performojë në një prej skenave më të rëndësishme në Evropë. Bëhet fjalë për “Openair Frauenfeld”, eventin të konsideruar si festivalin më të madh të muzikës hip-hop në kontinent dhe një ndër më të njohurit në botë, që mbahet në qytetin zvicerian të Frauenfeld nga 11 deri në 13 korrik.
Sipas një njoftimi të shpërndarë nga vetë reperi në Instagram-in e tij, Noizy do të performojë në skenë me artistë të kalibrit botëror, të paktën sa i takon muzikës rap, si 21 Savage, Playboi Carti, Gunna, Ice Spice, Offset, Nicki Minaj dhe Skepta. Mezi presim deri atëherë!
“Openair Frauenfeld” është një festival i përvitshëm dhe konsiderohet si një ndër eventet më të mëdha “open air” në Zvicër dhe në të gjithë Evropën, ndërsa organizohet që prej vitit 1985, por nuk ka qenë gjithnjë i dedikuar për muzikën hip hop. Kështu, më parë ai quahej “Out in the Green Festival” dhe i dedikohej zhanrit rock dhe blues, ndërsa në vititn 2007 ndrroi emër dhe u bë vit pas viti skena e artistëve si Jay Z, Kanye West, Eminem, Snoop Dog, Kendrick Lamar, A$AP Rocky, Travis Scott apo 50 Cent. Publiku që merr pjesë në event, zakonisht i kalon 150 mijë njerëzit gjatë 3 ditëve koncert.