Auto & Moto Bota

Në këtë vend parkingjet do të mbulohen së shpejti me panele diellore!

Në Francë, legjislacioni i ri i miratuar nga Senati do të kërkojë nga të gjitha parkingjet që të mbulohen nga panele diellore. Dispozitat e reja janë pjesë e planit në shkallë të gjerë të presidentit francez Emmanuel Macron për të investuar shumë në burimet e rinovueshme, që synon të shumëzojë me 10 sasinë e energjisë diellore të prodhuar në vend dhe të dyfishojë energjinë nga fermat e erës me bazë tokësore.

Duke filluar nga 1 korriku 2023, parkingjet më të vogla që kanë nga 80 deri në 400 hapësira do të kenë pesë vjet kohë për të qenë në përputhje me masat e reja. Parkingjet me më shumë se 400 hapësira kanë një afat kohor më të shkurtër. Ata do të duhet të respektojnë masat e reja brenda tre vjetëve nga kjo datë dhe të paktën gjysma e sipërfaqes së parkingut do të duhet të mbulohet me panele diellore.

Sipas qeverisë, ky plan, i cili synon veçanërisht zona të mëdha parkimi rreth qendrave tregtare dhe stacioneve të trenave, mund të gjenerojë deri në 11 gigavat, që është ekuivalenti i 10 reaktorëve bërthamorë, që furnizojnë me energji miliona shtëpi. Rikujtojmë se në vendin tonë ka nisur aplikimi për subvencionimin për panelet diellore në kuadër të projektit pilot që ka nisur qeveria për të mbështetur 2 mijë familje shqiptare në krizën energjetike.

Çdo familje mund të aplikojë online në Agjencinë për Efiçencën e Energjisë për të përfituar nga ky projekt. Kryeministri Edi Rama shkruan se do të vazhdojnë të mbështesin konsumatorin. Me instalimin e paneleve diellore kursehet 20% e kostos së përgjithshme të faturës së energjisë elektrike.