Në gjysmën e parë të këtij viti, gjithsej 37,227 njerëz që jetojnë vetëm ndërruan jetë në shtëpi në Japoni, tregojnë të dhënat zyrtare nga policia japoneze. Rreth 76% e këtij numri janë njerëz mbi 65 vjeç. Vitet e fundit, numri i njerëzve që vdesin vetëm në shtëpi ka qenë në rritje në Japoni dhe ky fenomen quhet “vdekja e vetmuar”, e cila i atribuohet rritjes së numrit të familjeve me një person në atë vend, si dhe popullsia në plakje.
Numri më i madh i vdekjeve të tilla është regjistruar tek popullsia mbi 85 vjeç. Të dhënat e publikuara tregojnë se sa më e vjetër të jetë kategoria beqare, aq më e lartë është përqindja e “vdekjes së vetmuar”. Nga ky numër, rreth 25,600 janë burra, ndërsa 11,600 janë gra. Fenomeni i njerëzve që vdesin vetëm në shtëpi është veçanërisht i theksuar në zonat e mëdha urbane si Tokio dhe Osaka.
Rritja e familjeve me një anëtarë në Japoni, ndryshimi i dinamikës sociale, si dhe problemi në rritje i vetëvrasjeve vuri në dukje çështjen e njerëzve të vetëm që vdesin në shtëpitë e tyre. Për të zbutur këtë problem, autoritetet japoneze miratuan Aktin e Politikës kundër Vetmisë dhe Izolimit në prill.
Ndërkaq, e përballur me shkallën më të ulët të lindjeve në botë, Koreja e Jugut po prezanton stimuj financiarë për të trajtuar krizën e saj demografike, shkruajnë mediat e huaja. Në distriktin Saha të Busanit, një program i ri u ofron banorëve deri në 38,000 dollarë për t’u njohur dhe për t’u martuar, duke inkurajuar çiftet të krijojnë familje.
Kjo nismë është pjesë e një strategjie më të madhe që synon të rikthejë rënien e popullsisë së vendit, e cila ka arritur një fazë kritike me normën e lindshmërisë që ka rënë në vetëm 0.72 fëmijë për grua. Ulja e lindshmërisë është rezultat i një ndërthurje faktorësh, por më së shumti vjen nga zhgënjimet e të rinjve koreanë me kostot e larta të jetesës dhe cilësinë e ulët të jetës.