Aktualitet

Në Këshillin e Sigurimit, kryediplomatja Xhaçka drejton takimin për sulmet kibernetike!

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku së bashku me Përfaqësuesen e Përhershme të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield do të drejtojë takimin informal të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Arria Formula), si dhe do të mbajë fjalën e saj në emër të Shqipërisë.

Takimi i planifikuar për nesër i kushtohet “Përgjegjësisë dhe reagimit të shteteve ndaj sulmeve kibernetike”. Ky takim synon të fokusohet tek rëndësia e trajtimit të sigurisë kibernetike, si një çështje kyçe në përgjegjësinë e Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Para të pranishmëve do të mbajë fjalën edhe shqiptarja e njohur, Mira Murati, në cilësinë e Shefes së Teknologjisë së kompanisë OpenAI. Po ashtu do të flasin Bernardo Mariano, Shefi i OKB-së për Teknologjinë e Informacionit dhe Kemba Eneas Walden, Drejtoresha Kombëtare e Kibernetikës në Amerikë.

E ndërsa kryediplomatja Olta Xhaçka shkon në Amerikë, vendin tonë e vizituan senatorët amerikanë, Chris Murphy e Gary Peters, që u ndalën dhe në Tiranë, në kuadër të një turi ballkanik.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë”. Kjo shkruhet nga presidenti Begaj pas një takimi me ta. Ndërkaq, ambasadorja amerikane, Yuri Kim theksoi se si aleatë të NATO-s dhe anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është më i rëndëishëm se kurrë bashkëpunimi ynë për çështjet rajonale dhe globale, përfshirë forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike.

Vizitat në Ballkan të senatorëve amerikane Murphy e Peters kanë si qëllim diskutimet me udhëheqësit e vendeve të rajonit mbi atë si SHBA-të mund të promovojnë stabilitetin e bashkëpunimin në këtë rajon.  Synohet që të dërgohet mesazhi i fortë se Shtetet e Bashkuara janë investuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe mbështesin rrugën e tyre drejt integrimit europian.