Xhudistja kosovare, Loriana Kuka ka kaluar në raundin e dytë të garës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, pasi mposhti sllovenen Metka Lobnik. 27 vjeçarja do të përballet me ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko në kategorinë deri në 78 kilogramë, në kërkim të medaljes së parë olimpike në karrierën sportive.
Ajo është xhudistja e fundit e Kosovës e mbetur në garë në Lojërat Olimpike në Paris, pasi katër të tjerët garuan ditët e kaluara. Kampionia olimpike Distria Krasniqi fitoi medaljen e argjendtë fundjavën që shkoi ndërsa Laura Fazliu, të bronzit në fillim të kësaj jave. Akil dhe Nora Gjakova nuk arritën të fitonin medalje.
Sa i përket Krasniqit, nuk ia doli të marrë medaljen e artë në xhudo për Kosovën, duke u mposhtur në finalen e peshës deri në 52 kg nga Diyora Keldiyorova e Uzbekistanit. Por, 28-vjeçarja nga Peja i siguroi Kosovës medaljen e parë (të argjendtë) në Lojërat Olimpike të këtij viti që po zhvillohen në Paris.
Xhudistja nga Kosova siguroi tre fitore të jashtëzakonshme në po kaq ndeshje. Fillimisht, Krasniqi arriti të fitojë me ippon ndaj xhudistes nga Indonezia, Maryam March Maharani për vetëm 39 sekonda. Ndërkohë në çerekfinale Krasniqi fitoi sërish me ippon ndaj xhudistes nga Izraeli, Gafen Primo, brenda një minute.
Distria u përball me xhudisten italiane Odette Giuffrida në gjysmëfinale. Ndeshja shkoi në shtesë ose siç njihet “golden score”, ku italiania që shmangej nga përballja direkte, mori vërejtjen e tretë. Kështu, në këto lojëra, Distria Krasniqi “futi në xhep” medaljen e argjendtë si vendi i dytë, teksa në Olimpiadën ‘Tokio 2020″ pati siguruar medaljen e artë.
Ndërkaq, xhudistja tjetër kosovare, Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronzit në Lojërat Olimpike “Paris 2024” të martën, në debutimin e saj në Olimpiadë. Ajo mposhti kroaten Katarina Kristo në kategorinë deri në 63 kilogramë për ta fituar medaljen e parë olimpike në karrierë.
Lufta e drejtpërdrejtë për të bronzit mes Fazliut e Kristos ishte shumë e barabartë në kohën e rregullt dhe u nevojit koha shtesë, e njohur si “golden score” për ta përcaktuar fituesen e medaljes së bronztë.