Anija kozmike “Europa Clipper” nisi sot udhëtimin e saj drejt hënës së akullt të Jupiterit, Europa, në kërkim të një bote që mund të mbështesë jetën, tha agjencia hapësinore amerikane NASA. Anija u nis nga kompleksi “Cape Canaveral” në Florida duke përdorur një raketë “Falcon Heavy” nga kompania private e hapësirës “SpaceX” e Elon Musk.
Nisja fillimisht ishte planifikuar më 10 tetor, por u shty për shkak të uraganit “Milton”. Pas një udhëtimi prej afro 3 miliardë kilometrash, “Europa Clipper” pritet të mbërrijë në orbitën e Jupiterit në vitin 2030. Gjatë disa fluturimeve të afërta, do të hetohet nëse kushtet në Evropë mund të jenë të favorshme për jetën. “Ka prova të forta se hëna e Jupiterit “Europa” ka një oqean me ujë të kripur që mund të jetë një nga vendet më të mira për të kërkuar mjedise ku jeta mund të ekzistojë përtej Tokës”-tha NASA.
“Europa Clipper” është anija më e madhe kozmike që NASA ka ndërtuar ndonjëherë për një mision planetar. Ajo mban nëntë instrumente shkencore në bord. “Europa”, e cila është një nga katër satelitët e mëdhenj të planetit gjigant të gazit, është e rrethuar nga një kore akulli. Shkencëtarët besojnë se ky oqean mund të përmbajë më shumë ujë sesa të gjithë detet e Tokës së bashku.
Rikujtojmë se SpaceX ka realizuar me sukses fluturimin e saj të pestë me Starship, raketën më të fuqishme që është ndërtuar ndonjëherë. Por ajo që mbetët për të vlerësuar nga ky testim ishte fakti se për herë të parë, kompania u përpoq dhe ia doli të sillte dhe të ulte në mënyrë të sigurt përforcuesin e raketës, të quajtur Super Heavy. Ai është më i gjatë se një ndërtesë 20-katëshe. Ndryshe nga fluturimi i mëparshëm, kur përforcuesi u zhvendos në Oqeanin Indian, Super Heavy u kthye në vendin e nisjes, ku një pajisje e “kapi” në ajër për ta shpëtuar nga një ulje të vështirë. Në këtë mënyrë është vendosur sërish në platformën e nisjes.