Në kërkim policor për plagosjen aksidentale të tre personave në Tiranë, pranga 32-vjeçarit në Kukës. Uniformat blu njoftojnë se arrestimi i shtetasit me iniciale E.E u bë pas ngjarjes së korrikut të këtij viti në një restorant luksoz në Rrugën e Kavajës në kryeqytet.
Pasi shkrepi tre herë një armë tip “TT”, la të plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje, një 36-vjeçare dhe dy vëllezërit e saj. Në njoftimin zyrtar për ngjarjen e 23 korrikut, policia dyshonte se aksidentalisht ka bërë shkrepje të pavullnetshme me një armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur 3 shtetas. Ndërkaq, për arrestimin njoftoi:
Si rezultat i operacionit “Oda”, në një hotel në Kukës, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi E. E., 32 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1897 datë 26.07.2024, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.