Aktualitet

Në kërkim për aksidentin tragjik të 2 prillit, pranga të riut!

Policia njofton se vijojnë kërkime intensive në kuadër të megaoperacionit të koduar “Sundimi i ligjit”, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Një i ri në kërkim se organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën, së bashku me drejtuesin e automjetit, në një aksident rrugor, më 2 prill të këtij viti në aksin Këlcyrë-Përmet, u arrestua në Shkodër. 24-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.

I ndaluari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte. Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit S. N., 24 vjeç, banues në Shkodër.

Për këtë shtetas Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A.Gj. dhe R.D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së. 24-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Në një tjetër zhvillim, nga masat policore në kuadër të garantimit të sigurisë, një 30 vjeçar nga Bulqiza ra në pranga pasi në banesë iu gjet një armë zjarri pa leje. Në bazë të kontrolleve të kryera, uniformat blu i sekuestruan pistoletën, municion luftarak e një sasi e vogël lënde narkotike të llojit cannabis sativa.