Aktualitet

Në kërkim nga SPAK-u, dy në pranga në Gramsh e Itali!

Policia e Gramshit vuri në pranga një shtetas 41-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim.

Siç theksohet në njoftimin zyrtar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO e ka dënuar 41-vjeçarin me iniciale A.R me 6 muaj burg, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe asaj italiane, në vendin fqinj u arrestua me qëllim ekstradimi në Shqipëri një 35-vjeçar. Shtetasi me iniciale K.M rezulton person i shpallur në kërkim për llogari të SPAK-ut.

Policia e Shtetit njofton se arrestimi i tij u krye si rezultat i sigurimit të informacionit nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”. Bëhet me dije se 35-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht pasi në fund të korrikut të këtij viti, GJKKO-ja i pati caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, për të kryer ekstradimin e shtetasit me iniciale K.M., në vendin tonë.