Aktualitet Bota

Në kërkim nga Rusia për mashtrim, arrestohet 57-vjeçari në Rinas, kritik i Putinit!

Një 57-vjeçar rus, i identifikuar si Aleksandër Bobovnikov, është arrestuar para 3 ditësh nga policia kufitare e Rinasit, pasi ishte në kërkim në Rusi për veprën penale të mashtrimit.

Këtë të enjte, Gjykata e Tiranës, caktoi 15 ditë burg për rusin, i cili u prangos të hënën. Para trupës gjykuese, 57-vjeçari tha se kishte ardhur në vendin tonë si turist, për kaluar disa ditë pushime.

“Nuk kam ndërmend të iki dhe të pranoj akuzat. Jam i sëmurë me zemër e kam nevojë për trajtim”, mësohet të jetë shprehur ai.

Më herët, ai është ndaluar në Firence, por gjykata italiane ka ndaluar ekstradimin për shkak të natyrës politike të çështjes për të cilën kërkohej në vendin e tij.

Bobovnikov erdhi në Shqipëri me miqtë e tij gjermanë, pasi kishte festuar ditëlindjen me ta në vendin europian.

Mësohet se Bobovnikov, me profesion neurokirurg, është shprehur më herët kundër luftës në Ukrainë nga Rusia dhe kundër pushtetit të Kremlinit.

Vendet e Bashkimit Europian e kanë refuzuar arrestimin e tij, ndërsa aktualisht mbetet të shikohet, cili do të jetë qëndrimi i drejtësisë shqiptare sa i takon një ekstradimi të mundshëm.

Sipas burimeve, ai është në kërkim nga Moska për një mashtrim 200 mijë euro. Sipas drejtësisë ruse, ai dyshohet se i mori një personi paratë me premtimin se do ta ndihmonte për të filluar punë në agjencitë qeveritare ruse.

Bobovnikov i shpenzoi këto para duke mos i gjetur punë këtij personi. 57-vjeçari njihet si kundërshtar i regjimit rus, ku shpesh herë ishte pozicionuar kundër luftës në Ukrainë.