Një shtetas gjerman me pasaportë false u arrestua nga Policia Kufitare në Portin e Durrësit, pasi po tentonte të dilte nga Shqipëria. 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Në njoftimin zyrtar thuhet se gjykata lokale e Lorrach-it në Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
Njoftimi zyrtar:
41-vjeçari M.W banues në Gjermani, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike. Policia njofton se si rezultat i kontrolleve nga Policia Kufitare dhe i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, 41-vjeçari u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi gjykata lokale e Lorrach, Gjermani, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.
Pasaporta që paraqiti ky shtetas, bën të ditur Policia, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, bashkë me një pasaportë me gjeneralitetet e tij, e dyshuar e falsifikuar, të cilën e kishte me vete.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.