Aktualitet Lajmet e fundit

Në kërkim, arrestohen 3 shqiptarë në Greqi e Itali/ Pritet ekstradimi!

Policia e Shtetit njofton sot se autoritetet policore të Italisë dhe Greqisë, në bashkëpunim me policinë shqiptare kanë arrestuar tre persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi zyrtar: 

Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, me homologët në Greqi dhe në Itali, mbi vendndodhjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përkatësisht për llogari të autoriteteve gjyqësore në Gjirokastër, në Korçë dhe në Mat, policitë partnere finalizuan tre operacione policore për kapjen dhe ndalimin e tyre.

Në kuadër të operacionit “Triplet” u arrestua nga policia greke, shtetasi Altin Merdani, 45 vjeç, i lindur në Memaliaj. Në vitin 2017, ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Gjirokastrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vitin 2015, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, transportonte 100 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim trafikimin. Nga dënimi total, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.

Në kuadër të operacionit “Dënimi”, u arrestua nga policia greke, shtetasi Elsjabo Dikolli, 31 vjeç. Në vitin 2023, ai u dënua nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi total, 31-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 3 vjet e 8 muaj burgim.

Në kuadër të operacionit “Masa” u arrestua nga policia italiane, shtetasi Nerim Klosi alias Nerim Taci alias Ardit Klosi alias Astrit Klosi, 49 vjeç, i lindur në Mat. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai akuzohet se më datë 31.12.2021, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në banesë Policia i gjeti armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Greqi dhe në Itali, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët europianë për ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. Nga Shqipëria në Itali është ekstraduar një shtetas italian, i dënuar me mbi 6 vjet burg, për shtrëngim për dhënie pasurie.Po kështu, nga Vjena në Shqipëri është ekstraduar një shtetas shqiptar, i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Njoftimi zyrtar: 

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale, ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Itali dhe në Austri, u finalizuan procedurat për: Ekstradimin nga Shqipëria në Itali, të shtetasit italian R. B, i dënuar në vitin 2014, nga Gjykata e Savonas, me 6 vjet e 8 muaj burgim, për shtrëngim për dhënie pasurie; Ekstradimin nga Vjena, në Shqipëri, të shtetasit N. A., 26 vjeç, i lindur në Bulqizë, i dënuar në vitin 2022, nga Gjykata e Elbasanit, me 3 vjet e 4 muaj burgim, për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. 26-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit me burgim, rreth 2 vjet. Bashkëpunimi i Interpol Tirana me homologët për goditjen e paligjshmërisë vijon.