Në Japoni, kompania më e madhe e ushqimeve fast food në botë, McDonald’s po përballet me mungesa të mëdha në furnizimin me patate. Siç raporton BBC, shkak për krizën janë problemet e vonesat e shkaktuara nga pandemia koronavirus.
McDonald’s pohoi se këto vonesa në dërgesa po ndikojnë për keq në prodhimin e të famshmeve ‘french fries’. Për këtë arsye, po detyrohet të zvogëlojë sasinë, të paktën deri më 30 dhjetor.
Për t’i dhënë mundësi të gjithë klientëve t’i shijojnë, McDonald’s Japan do të ndalë përkohësisht shitjen e patateve të skuqura në paketime të përmasave mesatare e të mëdha, duke u fokusuar vetëm te të voglat.
Zakonisht, patatet që shërben në restorantet në Japoni, importohen përmes një porti pranë Vankuverit në Kanada. Për t’i bërë ballë momentit të krizës, kompania amerikane tani ka vendosur të përdorë fluturimet me avionë kargo. Për McDonald’s nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë në Azi. Në vitin 2014, importi i patatave u bllokua nga një protestë e punëtorëve në Shtetet e Bashkuara. Edhe atëherë, zinxhiri i fast food-ut vendosi pakësimin e porcioneve.