Bota

Në Gjeorgji vijojnë protestat, qytetarët kundër ligjit rus dhe valës së arrestimeve!

Turma të mëdha njerëzish kanë marshuar rrugëve të Tbilisit në shenjë proteste ndaj arrestimit të rreth 200 personave, gjatë javëve të protestave kundër ligjit për influencën e huaj.

Ligji në fjalë parashikon që çdo institucion mediatik, apo organizatë joqeveritare që merr mbi 20 për qind të financimeve nga jashtë të regjistrohen si agjentë të huaj.

Nga ana tjetër, kritikët thonë se ligji synon t’u mbyllë gojën mediave kritike ndaj qeverisë dhe të godasë organizatat jofitimprurëse.

Parlamenti gjeorgjian e miratoi ligjin më 14 maj, por presidentja e vendit vendosi veton ndaj tij vetëm katër ditë më vonë.

Por mazhoranca parlamentare ka mjaftueshëm vota për ta zhbërë veton dhe ka paralajmëruar se do ta ndërmarrë së shpejti lëvizjen e saj.

Ndërkohë, miratimi i ligjit ka rritur frikën se mund të nxjerrë vendin nga shinat e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Rreth 25 mijë OJQ që veprojnë në sektorë të ndryshëm rrezikojnë të preken nga legjislacioni, i quajtur nga kritikët “Ligji Rusi”, pasi frymëzohet nga ai i miratuar në 2012-n në Rusi e që ka çuar në heshtjen e zërave të konsideruar kritikë nga Kremlini.