Aktualitet Bota

Në Bruksel, Meloni prezanton marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrat e emigrantëve!

Kryeministrja Giorgia Meloni prezantoi sot marrëveshjen që qeveria e saj ka arritur me Tiranën për qendrat e emigrantëve të drejtuar nga italianët në territorin shqiptar, gjatë një takimi jozyrtar për emigracionin me 10 shtetet anëtare në Bruksel përpara samitit të BE-së.

Meloni, së bashku me kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe kryeministrin holandez, Dick Schoof, mbajtën një takim jozyrtar këtë mëngjes me disa nga shtetet anëtare që kanë më shumë interes për çështjen e emigracionit dhe në veçanti çështjen e zgjidhjeve inovative. Përveç Italisë, Danimarkës, Holandës dhe Komisionit Evropian, në takim morën pjesë edhe liderët e Austrisë, Qipros, Republikës Çeke, Greqisë, Hungarisë, Maltës, Polonisë dhe Sllovakisë.

Në veçanti, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen përshkroi pikat kryesore të veprimit të treguara në letrën e së hënës mbi emigracionin, duke përfshirë çështjen e zgjidhjeve inovative. Meloni prezantoi marrëveshjen Itali-Shqipëri, një ditë pas mbërritjes së emigrantëve të parë të parregullt në portin e Shëngjinit, duke nënvizuar rolin e saj në luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore.

Diskutimi i liderëve u fokusua në konceptin “vend i tretë i sigurt”, përpara zbatimit të rregullave sipas Paktit të ri për Migracionin dhe Azilin dhe në bashkëpunimin përgjatë rrugëve të migracionit me UNHCR-në dhe IOM-in në lidhje me kthimet vullnetare të asistuara si dhe në qendrat e kthimit.

Udhëheqësit e pranishëm ranë dakord të vazhdojnë të mbajnë një koordinim të ngushtë operacional, gjithashtu në funksion të takimeve të ardhshme të Këshillit Evropian, me synimin për të forcuar politikën e migracionit të Bashkimit Evropian dhe për ta bërë atë gjithnjë e më efektive, përfundon zyra e kryeministres Meloni.

“Unë besoj se politikat italiane për emigrantët janë në përputhje me atë që u ra dakord nga liderët e BE-së disa vite më parë”. Kjo u deklarua dje nga ministri i Jashtëm holandez, Caspar Veldkamp pas një takimi me homologun italian, Antonio Tajani në Farnesina.

Ne nuk synojmë t’i bashkohemi marrëveshjes specifike Itali-Shqipëri, por e shikojmë atë me interes të madh sepse gjithashtu duam të eksplorojmë ide të reja dhe mundësi vendesh të reja për të kontrolluar flukset migratore. Italia i bën të gjitha këto brenda kornizës së ligjit europian dhe brenda konventës për të drejtat e njeriut. Ne duhet të krijojmë risi e të mendojmë edhe jashtë kësaj.

Më herët, Tajani theksoi se “operacioni i transferimit të emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri po shkakton diskutime në opozitë, por më duket se kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë u mor si shembull edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”.