Shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar fosile nga pylli më i vjetër në botë, që daton rreth 400 milionë vjet më parë. Ai shtrihet në brigjet e Anglisë Jugperëndimore ndërsa bimësia ka qenë shumë ndryshe nga ditët e sotme. Kjo sipërfaqe e mbushur me fosile të lashta bimësh rezulton të jetë pylli më i hershëm i njohur në botë.
Ai daton rreth katër milionë vjet më i vjetër se mbajtësi i mëparshëm i rekordit në shtetin e Nju Jorkut. Ai shtrihet mbi shkëmbinjtë e lartë ranor në brigjet e Anglisë Jugperëndimore, pranë Minehead. Studiuesit nga Universitetet e Kembrixhit dhe Kardifit thonë se ato janë pemët më të vjetra të fosilizuara të gjetura ndonjëherë në Britani dhe pylli më i vjetër i njohur në Tokë.
Pemët, të njohura si “calamophyton”, i ngjajnë palmave. Ato përshkruhen si një lloj “prototipi” i pemëve të sotme, ku më të mëdhenjtë janë midis dy dhe katër metra të gjatë. Studiuesit identifikuan fosilet e bimëve dhe mbetjet e tyre, trungjet dhe gjurmët e rrënjëve.
Ato tregojnë se si pemët e hershme ndihmuan në formimin e peizazheve dhe stabilizuan brigjet e lumenjve dhe brigjet qindra miliona vjet më parë. Zona e gjetjes ishte në atë kohë një fushë gjysmë e thatë, e lidhur jo me Anglinë, por me pjesë të Gjermanisë dhe Belgjikës, ku janë gjetur edhe fosile të pemëve të tilla. Ekspertët vlerësojnë se bimët ishin shumë të ndryshme nga pemët që njohim sot.