Aktualitet

Në arrest shtëpie në Korçë, por prangoset sërish po për falsifikim pasaportash!

Edhe në arrest shtëpie, një 58-vjeçar në Korçë nuk e ndali aktivitetin e falsifikimit të dokumenteve. Vitin e kaluar u arrestua se e kishte kthyer banesën në laborator të falsifikimit të pasaportave kanadeze, amerikane e të vendeve të BE-së, për të rënë sërish në pranga. Kësaj here në kuadër të operacionit të koduar “The Counterfeiters 2”. Po në mjediset e shtëpisë, falsifikonte pasaporta greke.

Njoftimi policor:

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Korçë, në vijim të operacionit “The Counterfeiters”, të finalizuar në muajin korrik të vitit 2023, si rezultat i të cilit u zbulua një laborator që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, ka vijuar në drejtimin e Prokurorisë së rrethit, punën hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë. Në vijim të veprimeve, u arrestua shtetasi:

-A. R., 58 vjeç, banues në Korçë, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës, për rastin e falsifikimit të dokumenteve që u zbulua në korrik të vitit 2023.

Në bazë të dyshimeve se ky shtetas, i cili u arrestua në vitin 2023, bashkë me 2 shtetas të tjerë, gjatë operacionit të koduar “The Counterfeiters” vijonte të ushtronte veprimtarinë e falsifikimit të dokumenteve, u ushtrua kontroll në banesën e tij. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa  pasaporta greke, pajisje kompjuterike, makineri prodhimi dhe falsifikimi, celularë dhe një shumë eurosh.

Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.