Celebrities Gossip Showbiz

Në ankand sendet e çmuara të aktores së ndjerë Gina Lollobrigida!

Fatkeqësisht disa muaj më parë u shua në moshën 95-vjeçare aktorja legjendare italiane, Gina Lollobrigida. Diva e madhe e kinematografisë italiane ka lindur më 4 korrik 1927 në provincën e Romës Subiaco dhe ishte një nga aktoret më të rëndësishme evropiane dhe një ‘seks simbol’ i viteve 50-60 ndërkombëtarisht. E ndjera luajti në dhjetëra filma me yjet më të mëdhenj të Hollivudit dhe kinematografisë italiane, nga Frank Sinatra dhe Sean Connery te Marcello Mastroianni dhe Humphrey Bogart dhe mori nofkën “La Lolo”.

Ndërkaq, beteja për trashëgiminë e aktores së njohur italiane ka marrë një kthesë misterioze pasi 9 milionë euro nga pasuria e saj janë zhdukur. Në testament, ylli italian i filmave e ndau pasurinë e saj mes djalit 66-vjeçar, Milko Skofic Jr dhe asistentit të saj 35-vjeçar Andrea Piazzolla i cili u kujdes për Lollobrigida-in në vitet e saj të fundit. Bëhet e ditur së fundmi se mobiljet, veprat e artit, bizhuteritë dhe kujtimet që i përkasin divës së ndjerë italiane do të shiten në ankand në Xhenova më 28 dhe 29 maj.

Ndër artikujt në shitje është një orë që Lollobrigida dikur e mori si dhuratë nga lideri revolucionar kuban, Fidel Castro. Artikujt e ofruar përfshijnë gjithashtu kamerën që Lollobrigida pëlqente ta përdorte për të bërë foto portrete. Ajo e përdori atë për të fotografuar figura të njohura, duke përfshirë aktorin Paul Newman, piktorin Salvador Dali dhe diplomatin Henry Kissinger.

Përveç bizhuterive të ndryshme, në ankand do të paraqitet edhe një kabinet monumental prej druri siçilian i zbukuruar me korale dhe guaske breshke, shpata të përdorura në filmin “The most beautiful woman in the world”, stolat e kopshtit prej porcelani kinez, ikona ruse dhe skulptura të perëndive tibetiane. Për dekada me radhë, Lollobrigida ishte një nga aktoret më të famshme në botë. Filmat e saj më të njohur përfshijnë “Trapeze”, “Fanfan la Tulipe” dhe “The Hunchback of Notre Dame”.