Kleriku turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e akuzoi si organizator të puçit të dështuar ushtarak të vitit 2016, gjeti vdekjen në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetoi vitet e fundit të jetës. Lajmin e raportoi Televizioni Publik i Turqisë dhe një faqe në internet e lidhur me Gulen-in, i cili krijoi një lëvizje të fuqishme islamike në Turqi dhe në shtete të tjera. Lëvizjes Hizmet, shteti turk i referohet me akronimin FETO (Organizata Terroriste Fethullaiste) dhe është shpallur “terroriste” në SHBA.
Gulen ka mohuar akuzat se orkestroi puçin e vitit 2016 kundër presidentit të Turqisë, Erdogan dhe që çoi në rreth 250 viktima. Herkul, një faqe që publikon predikimet e Gulen-it, shkroi në X se ai vdiq dje në mbrëmje në një spital ku po trajtohej. Gulen jetonte në azil të vetëimponuar në SHBA që nga viti 1999. Më 2017-ën, iu hoq shtetësia turke.
Edhe gjatë vizitës së 10 tetorit në Tiranë, në deklaratën për media me kryeministrin Edi Rama, Erdogan apeloi për vazhdim të luftës kundër FETO-s. Presidenti turk tha se shpreson që me Shqipërinë, të vazhdojnë luftën kundër “organizatave terroriste, ndaj FETO-s”.
Diskutuam edhe çështjen e luftës kundër organizatave terroriste, kundër FETO-s, me mikun tim të dashur Ramën. Shpresoj që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroristeve përmes vendimeve që kemi marrë sot (10 tetor).
Kleriku Gulen fitoi famë në vitet ’60, si predikues në lutjet e së premtes. Përmes lëvizjes së tij Hizmet (Shërbim), ka financuar shkolla, media, si dhe organizata joqeveritare. Kjo lëvizje vepron në mbi 150 shtete të botës. Gulen përqafonte islamin e moderuar e tolerant. Por disa qeveri e shohin lëvizjen si kërcënim për shkak të rrjetit që ka në mesin e biznesmenëve të pasur dhe ndikimit që ushtron përmes qendrave arsimore. Mbështetësit e Gulen-it thonë se kjo lëvizje promovon altruizmin, punën dhe edukimin.
Rivaliteti mes Erdogan-it dhe Gulen-it nuk ka ekzistuar gjithmonë. Hizmet ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Erdogan-it duke ndihmuar ardhjen në pushtet të partisë për Zhvillim dhe Drejtësi, më 2002-shin. Megjithatë, marrëdhëniet mes Erdogan-it dhe Gulen-it u prishën, për shkak të dallimeve në çështjen e ndarjes së pushtetit dhe për stilin autoritar të udhëheqjes së presidentit turk.