Në anketën me bizneset, Barometri i Ballkanit konstatoi se 7% e tyre në Shqipëri pohuan se kanë kryer pagesa korruptive për të ndryshuar legjislacionin që të favorizohen.
Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nivel më të lartë, me 13% secila sa i përket ndikimit të paligjshëm. Kosova paraqitet me më të ulëtin në rajon të kapjes ligjore, me vetëm 1% të bizneseve që pranuan se kanë kryer këtë formë korrupsioni. Gjithashtu, nivele më të ulëta kishin Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi, ku 3% thanë se paguajnë për të bërë ligje dhe rregulla në shërbim të tyre.
Nga të dhënat e brendshme, në Shqipëri është mjaft i përhapur fakti i ndërhyrjeve të bizneseve në procesin e prokurimeve për të formuluar rregulla specifike që përjashtojnë pjesëmarrësit e tjerë. Por, në Shqipëri kapja e shtetit nëpërmjet ligjeve është një fenomen që tashmë njihet.
Në Kuvend ka gjithmonë nisma të veçuara që kërkojnë lehtësime fiskale që u shërbejnë një grupi kompanish. Rezultatet e Barometrit të Ballkanit tregojnë se kapja e shtetit nëpërmjet ligjit është e zakonshme për bizneset në Shqipëri, pasi në vitin e fundit, 7% e bizneseve të anketuara kanë pranuar këto lloj pagesash.
Një raport i Transparency International, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim – (IDM) që përfshinte shqyrtime nga vitet 2008-2020, evidentoi se rastet e shqyrtuara të korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri japin përshtypjen se ka një lidhje të fortë ndërmjet zyrtarëve publikë, sektorit privat e gjyqësorit. Kjo lidhje është rritur në mënyrë të vazhdueshme duke shfrytëzuar pronën publike dhe sigurimin e të mirave publike.
Ndërkohë që politikanët, kryesisht në qeverinë qendrore, por edhe në qeverisjen vendore, bashkëpunojnë me sektorin privat për të shfrytëzuar burimet e vendit, gjyqësori i korruptuar siguron pandëshkueshmëri për këto veprimtari dhe i zgjat skemat fitimprurëse korruptive.