Ndërsa në shtator pritet të nisë viti i ri akademik, dilemat tek të rinjtë janë për degën që duhet të zgjedhin. Duhet të udhëheqë pasioni apo kërkesat e tregut për të gjetur një punë pas përfundimit të ciklit të studimeve? Në fakt, të dhënat tregojnë se numri i të rinjve që po ndjekin arsimin e lartë është në rënie, ashtu si edhe në ciklet e tjera të studimit. Një dukuri që lidhet me emigrimin dhe pakësimin e popullsisë.
Në vitin akademik 2023-2024, numri i nxënësve dhe studenteve që ndoqën sistemin arsimor shqiptar rezultoi mbi 533 mijë, me rënie gati 20 mijë kundrejt vitit të mëparshëm akademik. Ndërsa kundrejt 5 viteve më parë, rënia rezultoi mbi 78 mijë. Pakësimi i numrit të nxënësve vihet re në të gjitha ciklet e studimit.
Kështu, nga totali i nxënësve që kanë ndjekur studimet në vitin akademik 2023-2024, vetëm 21.9% rezultojnë të regjistruar në ciklin e arsimit të lartë. Ndërkohë që numri i atyre që kanë ndjekur shkollat profesionale është thuajse i papërfillshëm, çka tregon mungesën e interesit të të rinjve për të ndjekur këtë cikël studimi, pavarësisht kërkesës së lartë të tregut për shumë zanate.
Por cilat janë degët që kanë më interes nga të rinjtë që vendosin të zgjedhin arsimin e lartë?
Të dhënat zyrtare tregojnë se “biznes, administrim dhe ligj” mbetet e preferuara e të rinjve me 24.4% të totalit. Arsyeja pse sot tregu i punës në Shqipëri ka një numër të lartë ekonomistësh dhe juristësh, profesione që kanë qenë tradicionalisht më të preferuarat. Në vendin e dytë renditet “shëndet dhe mirëqenie”, me 20.9% të totalit të studentëve, pasuar nga inxhinieria e ndërtimit. Degët më pak të preferuara rezultojnë “bujqësi, pyje, peshkim” dhe “shkencat natyrore dhe matematikë”.
Pakësimi i numrit të nxënësve dhe studentëve ka pasoja në ekonominë e vendi. Pasi reflektohet me një nivel të ulët të arsimimit të popullsisë në tërësi; me nivel të ulët të kualifikimit të fuqisë punëtore; produktivitet të ulët të ekonomisë dhe rritje më e ngadaltë ekonomike.