Aktualitet Politikë

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Bledi Çuçi mbledh Grupin e PS-së!

Në mbledhjen e fundit të grupit socialist për këtë sesion parlamentar, kryetari Bledi Çuçi informoi deputetët lidhur me çështjet dhe projektligjet që do të diskutohen në seancën që për shkak të pikave të shumta në rendin e ditës do të zgjasë dy ditë, të enjten e të premten e 25 dhe 26 korrikut.

Në rendin e ditës janë parashikuar dhe dy interpelanca me ministrat Gonxhja e Mete, krahas raporteve vjetore të disa institucioneve të pavarura, projektligjet “Për Policinë e Shtetit”; “Rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit e zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, si dhe disa akte të tjera.

Në vijim të mbledhjes, Çuçi iu tha deputetëve se propozimet e Grupit të Dialogut për Reformën Zgjedhore, ende janë në fazë diskutimi në nivel politik dhe nëse do të ketë dakordësi atëherë këto propozime do t’i paraqiten seancës, ditën e premte. Ndër të tjera pati diskutime lidhur me çështje të ndryshme komunitare, të ngritura nga ligjvënësit sipas zonave respektive.

Për herë të parë, diaspora mund të votojë në parlamentaret e vitit të ardhshëm. U arrit një marrëveshje në parim që emigrantët të votojnë. Më 19 korrik, socialistët pranuan propozimin e demokratëve, që këtë të drejtë të mos e kenë vetëm ata që janë rezidentë, por gjithashtu, personat që nuk kanë një adresë të saktë.

Në Tryezën e Dialogut, maxhoranca kërkoi zbutjen e herësit brenda listës, nga 10 mijë në 7 mijë vota. Por, demokratët erdhën me formulë mikse. Mbetet të shihet nëse drafti konsensual do të marrë dritën jeshile para pushimeve të verës për deputetët. Kjo do të bënte që ekspertët e PS-së e PD-së të jenë në garë me kohën që propozimet të hidhen në letër.