Drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private. Kjo është pjesë e ndryshimeve ligjore të miratuara sot në mbledhje qeverie dhe u prezantua nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Ka një rregullim edhe të kësaj pike e ka të bëjë pikërisht me faktin që drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private e t’i drejtojnë ato klinika private dhe duke qenë titullarë njëkohësisht në strukturat spitalore shtetërore e në strukturat e tyre private.
Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në ligjin “Për urdhrin e mjekëve” në Republikën e Shqipërisë.
Ky është një angazhim për të garantuar e siguruar një balancë mes interesit primar të qytetarëve dhe interesit të mjekëve e strukturave publike shëndetësore, që është shmangia sa më shumë e mundur e konfliktit të interesit në rastin e çdo profesionisti të mjekësisë, i cili punon në strukturat shëndetësore publike.
Ndryshimet që kemi propozuar në ligj dhe që u miratuan sot me vendimin më të fundit të qeverisë në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve”, kryesisht konsistojnë në bërjen publike dhe transparente të informacionit për të gjithë profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre edhe private.
Si një tjetër ndryshim të rëndësishëm, Koçiu veçoi miratimin e një regjistri elektronik publik, i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë për çdo profesionist të shëndetësisë e që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij edhe privatisht.
Nga ana tjetër kemi vendosur edhe një tavan të orëve të punës, për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të angazhohet e të punojë privatisht. Ndërkohë që kemi bërë të qarta dhe procedurat për masat disiplinore e strukturat përkatëse, të cilat do të rregullojnë veprimtarinë akoma më shumë të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që punojnë në sektorin publik.
Të gjitha këto ndryshime vijnë dhe në vazhdën e reformës më të rëndësishme që është ajo e Autonomisë Spitalore, një reformë e cila ne besojmë fort që do të ndryshojë tërësisht mënyrën e shërbimit të ofrimit në kujdesin shëndetësor.
Do të sjellë më pranë dhe më cilësisht shërbimin që strukturat publike shëndetësore ofrojnë për qytetarët e padiskutim që do të rrisin akoma më shumë dhe do të përmirësojnë mirëmenaxhimin e spitaleve dhe mirëmenaxhimin e profesionistëve të shëndetësisë.