Ndryshe

“Ndryshe” rinis nesër sezonin plot me risi, ja çfarë të prisni…

Sezoni i ri i Top Albania Radios nuk ka fund me surpriza! Tashmë emisioni “Ndryshe” është shumë afër nisjes. Dita e nesërme i është rezervuar humorit dhe shumë të rejave të tjera… Jeni kuriozë?

Po ju zbulojmë vetëm pak nga ajo se çfarë të prisni këtë herë nga “Ndryshe”… Sezoni i ri vjen me një ndryshim të madh. Këtë herë krah Salsano Rapit, do të vijë në moderim edhe Elona Duro.

Por çfarë do të sjellë tjetër ky sezon? Në mikrofonin e Top Albania Radios do të jenë emrat më të mëdhenj të showbiz-it, artit, kulturës, modës, televizionit, skenës. Shumë emra të mëdhenj që vijnë për herë të parë në studiot e TAR. Po ashtu një rubrikë e re i shtohet emisionit, ‘tekstet e vjetra të këngëve vs. tekstet e reja’. Nga ana tjetër ‘Telefonata Kurth’ do të vijojë të jetë pjesë e emisionit duke shkaktuar plot të qeshura. Po ashtu dy rubrika të reja që do t’ju argëtojnë këtë sezon do të jenë ‘Çuna & Burra’, si dhe ‘Çiftet e njohura në emision’.

Politika dhe aktualiteti, të para ndryshe. Shkundja sarkastike e realitetit politik dhe social që jetojmë me një prej figurave më të pëlqyera të humorit shqiptar si edhe një prej personazheve më të dashura të televizionit. Pse Shqipëria është kjo që është, pse shqiptarët janë siç janë, një vështrim plot humor mbi jetën që bëjmë që do t’ju sjellë gjendje të mirë shpirtërore përpara se të mbyllni ditën tuaj.