Pesimistët, përkundër mendimit të tyre negativ ndaj botës, kanë rrezik më të ulët nga aksidentet, shëndeti i dobët dhe vdekja e parakohshme, zbulon një studim gjerman. Të moshuarit të cilët nuk presin shumë në lidhje me situatat e volitshme jetësore në të ardhmen, kanë shanse më të mëdha që të jetojnë më gjatë dhe të jenë më të shëndetshëm sesa ata të cilët janë tepër optimistë. Dr. Frider. R. Lang, shpjegon:
Studimi ynë zbulon se optimizmi i tepërt ndërlidhet me rrezikun nga invaliditeti dhe vdekjen e parakohshme në dhjetë vitet e ardhshme të jetës.
Shikimi pesimist ndaj të ardhmes mund të nxisë njerëzit që të bëhen më të vëmendshëm dhe të kujdesen më shumë për shëndetin. Dr. Lang dhe kolegët e tij kanë analizuar të dhënat e mbledhura të rreth 40 mijë personave të moshës prej 18 deri në 96-vjeçare.
Shkencëtarët i kanë ndarë në grupe prej 18 deri në 39 vjet, 40 deri 64 dhe më të vjetër se 65 vjet. Më pas është zbuluar se ata në grupin më të vjetër, pra prej 65 vjetësh e më shumë, që kanë pasur pritje të larta joreale për të ardhmen, kanë një përqindje prej gati 10% më të lartë të rrezikut nga invaliditeti dhe 10% rrezik më të madh nga vdekja e parakohshme. Në atë moshë, shikimi pesimist i jetës është më reali. Ata nga grupi më i ri kanë pasur përqindjen më të lartë të optimizmit, derisa personat e moshës së mesme kanë pasur mendimin më real për të ardhmen, por me kalimin e viteve bëhen gjithnjë e më pesimistë. Dr. Lang vijon:
Nuk e kemi pritur, por është vërtetuar që shëndeti i qëndrueshëm dhe i mirë, si dhe të ardhurat e mira janë të ndërlidhura me mendimin pesimist për të ardhmen. Për më tepër, kemi vërtetuar se të ardhurat më të larta janë të lidhura me një rrezik më të madh nga invaliditeti.