Valët delta janë lloji më i ngadaltë i valëve të trurit, të cilat përfaqësojnë aktivitetin elektrik që truri ynë prodhon gjatë fazave të gjumit të thellë (gjumi me valë të ngadalta). Ato ndodhin kryesisht gjatë fazës së gjumit të thellë, e njohur si faza N3.
Kjo është ajo pjesë e gjumit ku truri ndalon së procesuari informacionet ditore dhe kalon në modalitetin e riparimit. Në këtë fazë, trupi dhe mendja janë të përfshira në rigjenerim të thellë, duke ndihmuar në rregullimin e funksioneve trupore dhe ruajtjen e kujtesës afatgjatë.
Ndërkohë që trupi ripërtërihet gjatë fazës së gjumit të thellë, truri ynë përdor valët delta për të “pastruar” dhe për të forcuar lidhjet e neuroneve. Kjo ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes emocionale.
Kur gjumi i thellë është i pamjaftueshëm, mund të ndiheni më të irrituar, të shpërqendruar dhe më të stresuar gjatë ditës. Prandaj, nëse keni mungesë të valëve delta, ka më shumë gjasa që të përjetoni paqëndrueshmëri emocionale dhe madje të keni vështirësi në përballimin e sfidave ditore.
Mungesa e valëve delta mund të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme tek shëndeti ynë i përgjithshëm. Pa këtë fazë të gjumit, funksionet tona mendore dhe fizike përkeqësohen.
Studime të shumta kanë treguar se individët që nuk arrijnë të përjetojnë gjumin e thellë vuajnë nga lodhja kronike, përqendrimi i dobët dhe rritja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe sistemit nervor. Madje, humbja e gjumit të thellë është lidhur edhe me rënien e aftësive njohëse dhe zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimer.