Aktualitet

Ndodh sërish, publikohen në rrjetet sociale dy tezat e Matematikës. Ministria: Nuk cënon mbarëvajtjen e provimit!

Publikimi i tezave të provimeve të Maturës 2024 ndodhi sërish.

Një orë pas nisjes së provimit, dy tezat e Matematikës janë publikuar në faqen “studentët denoncojnë” në Instagram.

Kjo është hera e tretë që publikohen në rrjete sociale tezat e povimeve të Maturës.

Menjëherë ka reaguar dhe Ministria e arsimit ku thekson se nuk ka asgjë për tu shqetësuar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron të gjithë maturantët dhe opinionin publik se procesi i provimit të Maturës Shtetërore në Matematikë po kryhet brenda të gjitha standardeve të sigurisë të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Ritheksojmë se publikimi i tezës së provimit të Maturës, pas nisjes së provimit, nuk cenon në asnjë rast procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Maturës Shtetërore.

Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin, vazhdojnë të zhvillojnë provimin në lëndën e Matematikës qetësisht dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore, duke krijuar çdo mundësi për maturantët që të tregojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre të përfituara gjatë shkollës së mesme në Matematikë.

Masat e marra paraprakisht nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe strukturat arsimore, si, monitorimi i rreptë i ambientit të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnime shtesë për administratorët, kontrollin rigoroz të hyrjes dhe daljes në ambientet ku zhvillohen provimet, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e kushteve të provimit për të krijuar një mjedis miqësor që ndihmon në reduktimin e stresit të maturantëve dhe përmirësimin e performancës së tyre janë siguria që Procesi i Maturës Shtetërore të jetë një proces transparent dhe i drejtë për të gjithë maturantët.

Sot rreth 28 mijë maturantë po i nënshtrohen provimit të tretë, atij të Matematikës i cili nisi në orën 10 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.

Provimi i fundit që maturantët do t’i nënshtrohen është ai i Lëndës me Zgjedhje në datën 24 qershor.

Përsa i përket rezultatit të notave, Ministria e Arsimit ka publikuar vetëm notat e marra në provimin e Gjuhës së Huaj, ndërsa në ditët në vijim pritet të dalin rezultatet e lëndës Gjuha Shqipe dhe Letërsi.