Një ngjarje shumë e habitshme ka ndodhur së fundmi në Ekuador që ka ngjallur menjëherë vëmendjen e mediave. Bëhet fjalë për “ringjalljen” e Bella Montoya, një 76-vjeçareje. E moshuara u deklarua e vdekur në pasditen e së premtes, pasi fillimisht ishte shtruar në spital në orën 9 të mëngjesit sipas kohës lokale në spitalin Martin Icaza de Babayoho.
Gilber Rodolfo Balberán Montoya, djali i Bella-s, shprehet i sigurtë se Zoti i dha asaj një shans të dytë. Megjithatë, ai tregon se në spital ka pasur neglizhencë, raporton El Universo. Balberán shprehet:
E dërgova atë në spital rreth orës 9 të mëngjesit dhe pasdite një doktor më tha se nëna ime kishte ndërruar jetë.
Ai shtoi se nëna e tij ishte brenda arkivolit nga ora 14 deri pas orës 18, atëherë kur familjarët e Bella vunë re se ajo kishte shenja jete në momentin që ata e hapën arkivolin për t’i ndërruar rrobat. Gilber vijon:
Nëna ime filloi ta lëvizte dorën e saj të majtë, hapi sytë dhe gojën, ajo po bënte përpjekje për të marrë frymë.
Ngjarja është regjistruar në video ku vërehet dëshpërimi i familjarëve të viktimës, të cilët tentuan ta rikthenin atë në jetë, ndërsa prisnin mbërritjen e ambulancës nga departamenti i Zjarrfikësve të Babahoyo. Bella Montoya u nxor nga arkivoli dhe u vendos në një barelë dhe më pas me një ambulancë u dërgua në spitalin Martín Icaza.
🇪🇨 | LO ÚLTIMO: Una mujer que fue declarada muerta por un médico, revivió en pleno velorio ante la mirada de sus familiares en Babahoyo, Ecuador. Inmediatamente fue trasladada al hospital Martin Icaza donde la volvieron a atender. pic.twitter.com/s8k7XzRTCZ
— Alerta Mundial (@AlertaMundial2) June 10, 2023
Siç është raportuar, me sa duket, Bella kishte pësuar një formë të katalepsisë, e cila është një çrregullim nervor i papritur i karakterizuar nga palëvizshmëria dhe ngurtësia e trupit, dhe nga humbja e ndjeshmërisë dhe aftësisë për të kontraktuar muskujt vullnetarisht. Megjithatë, kjo ende nuk është konfirmuar, pasi nuk ka asnjë prononcim nga spitali.