Health & Beauty Lifestyle

Ndjeheni të lodhur pa bërë asgjë, ja si të shpëtoni nga ky ‘hall’!

Shpesh ndodh që edhe pasi ke kaluar një ditë të qetë, ndihesh i/e lodhur pa e kuptuar arsyen. Por, çfarë fshihet pas kësaj lodhjeje? Në përditshmërinë e sotme jemi të rrethuar nga një mori informacioni të vazhdueshëm. Edhe kur nuk je fizikisht aktiv/e, truri është i ngarkuar duke përpunuar çdo gjë që sheh dhe lexon nga rrjetet sociale e deri te lajmet.

Kjo mbingarkesë mendore mund të të shkaktojë lodhje që e ndjen edhe fizikisht. Edhe nëse duket sikur nuk po shqetësohesh për asgjë, në prapaskenë mund të jesh i/e shqetësuar për detyra të pazgjidhura apo ngjarje të ardhshme. Ankthi i fshehur e mban trupin në tension, duke të lënë të ndihesh i/e rraskapitur edhe kur s’ke bërë asgjë.

Ndonëse mund të kesh fjetur orë të mjaftueshme, nëse gjumi nuk është i thellë dhe cilësor, trupi nuk arrin të rigjenerohet plotësisht. Kjo sjell ndjesinë e lodhjes edhe kur duket se ke pushuar mirë. Vendimet e përditshme, edhe pse të vogla, konsumojnë energji mendore. Zgjedhje të thjeshta si çfarë të hash apo çfarë të veshësh sjellin lodhje të brendshme, edhe kur duket se dita ka kaluar pa shumë aktivitet.

Kur nuk bën mjaftueshëm aktivitet fizik, ndjenja e lodhjes rritet. Lëvizja ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe i jep trupit energji. Pa lëvizje, muskujt dhe mendja ngadalësohen dhe lodhja bëhet më e dukshme. Nëse nuk ke qëllime konkrete për ditën, kjo mund të të bëjë të ndihesh i/e demotivuar dhe i/e lodhur. Trupi dhe mendja kanë nevojë për një drejtim që të ndihen të motivuar. Mungesa e qëllimeve shkakton një ndjesi të kotësisë dhe rraskapitje të pashpjegueshme.

Edhe kur trupi nuk jep shenja të dukshme lodhjeje, emocionet e rënda mund të shkaktojnë një ndjesi të fortë rraskapitjeje. Ngarkesat emocionale nga marrëdhëniet, puna apo çështje personale e shpirtërore ndikojnë drejtpërdrejt në energjinë fizike dhe mendore. Lodhja që ndjen kur nuk bën asgjë është shpesh rezultat i një kombinimi faktorësh mendorë, emocionalë dhe fizikë. Pushimi i vërtetë është më shumë sesa mosbërja e asgjëje; ai kërkon balancë mes trupit dhe mendjes. Bëj aktivitet fizik dhe sigurohu të bësh një gjumë cilësor.