Rajoni

Ndihma e Beogradit për serbët në Kosovë nis nga fillimi i nëntorit!

Do të nisin të zbatohen në fillim të nëntorit disa nga masat e miratuara dje nga qeveria serbe e që synojnë të ndihmojnë serbët në Kosovë. Kjo u bë e ditur nga ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviç. Duke folur për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), deklaroi:

Ne kemi kërkesa të qarta që ia kemi adresuar komunitetit ndërkombëtar, të cilat janë të bazuara dhe të shpjeguara e që kërkojnë kthimin në “status quo”-në, para se (kryeministri i Kosovës) Albin Kurti të prishte dhe të rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit duke zbatuar masat e tij të njëanshme.

Tensionet e reja mes Kosovës dhe Serbisë vijnë pasi javët e fundit, autoritetet në Prishtinë kanë mbyllur disa institucione paralele serbe, të cilat i konsiderojnë “jokushtetuese” e “të paligjshme”. Këto veprime, Beogradi i quan “akte kriminale” që synojnë “dëbimin e serbëve”.

Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania kanë kritikuar veprimet e Kosovës për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe më 30 gusht, duke i quajtur “veprime të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Qeveria e Kosovës vlerëson se me veprimet e veta, vetëm sa synon që të shtrijë sovranitetin në të gjithë territorin e shtetit.

Paketa e masave që qeveria serbe miratoi dje, ka dimension politik e juridik, por edhe socio-ekonomik, tha Staroviç për RTS-në, duke shtuar se një sërë departamentesh kanë pranuar detyra të qarta me masa konkrete që përfshin paketa socio-ekonomike.

Paketa përfshin 20.000 dinarë ndihmë (rreth 170 euro) për 5.000 persona, familje në Kosovë në kushte të rënda ekonomike, si dhe 60.000 dinarë (rreth 500 euro) për 300 persona të papunë.

Ministri shtoi se të gjithë nxënësit serbë në Kosovë do të pranojnë tekste shkollore pa pagesë e do t’iu jepen edhe mallra ushqimorë.

Ne po ndërtojmë dy çerdhe të reja në Kosovë, po rindërtojmë e po rregullojmë një sërë çerdhesh, salla sportesh, disa fusha të sportit dhe kjo nuk është e gjitha.

Sipas tij, disa nga masat do të nisin të zbatohen në fillim të nëntorit, disa në dhjetor, ndërsa disa të tjera duhet të presin deri më 1 janar 2025. Staroviç deklaroi se paketa e masave përfshin edhe punësimin e 100 punonjësve shëndetësorë, investime shtesë në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut e subvencione për bizneset e vogla e të mesme, si dhe për fermerët.