Miqësitë janë një pjesë thelbësore e jetës sonë, duke na ofruar mbështetje, dashuri dhe shumë kujtime. Megjithatë, jo të gjitha miqësitë janë të shëndetshme. Disa prej tyre mund të jenë toksike dhe të dëmshme për mirëqenien tonë. Ja disa nga shenjat kryesore që tregojnë se mund të jeni në një miqësi toksike:
1. Nuk respektojnë kufijtë
Miqtë e mirë respektojnë kufijtë tuaj personalë. Në një miqësi toksike, këta kufij shpesh injorohen ose kalohen.
2. Negativitet i vazhdueshëm
Ndiheni të lodhur dhe të nënvlerësuar pas çdo takimi me mikun tuaj? Ky është një tregues i fortë se diçka nuk shkon.
3. Kritika të shumta
Ndërsa kritika konstruktive është e rëndësishme, kritika e vazhdueshme, e ashpër dhe e pajustifikuar mund të dëmtojë vetëvlerësimin tuaj. Një mik i mirë e di mënyrën e duhur se si t’ju këshillojë kur e keni gabim.
4. Ndiheni sikur nuk keni mbështetje
Në vend që të festojë sukseset tuaja, miku juaj tregohet xheloz, indiferent ose nervoz? Kjo tregon mungesë mbështetjeje.
5. Mungesë empatie
Miqtë toksikë nuk e kuptojnë dhe nuk e ndiejnë dhimbjen tuaj. Ata injorojnë emocionet dhe problemet tuaja sa herë doni që të gjeni mbështetje tek ta.
6. Sjellje manipuluese
Manipulimi përfshin fajësime dhe mashtrime për të kontrolluar veprimet dhe vendimet tuaja. Kjo sjellje është për përfitimin e tyre dhe në kurriz të mirëqenies tuaj.
7. Konflikte të shpeshta
Është normale që të ketë konflikte të vogla mes miqve që përfundojnë në pajtime të shpejta, por mosmarrëveshjet e përsëritura, edhe kur janë të parëndësishme që kthehen në debate, janë një shenjë e miqësive toksike.
8. Mungesë besimi
Prishja e premtimeve ju bën të mos ndiheni të respektuar dhe të prisni që çdo herë premtimet që ju bëhen të mos mbahen.
9. Kur bëjnë më shumë thashetheme seç duhet
Nëse miku juaj flet shpesh për të tjerët pas shpinës së tyre, ka shumë gjasa që të bëjë të njëjtën gjë edhe për ju.
Njohja e këtyre shenjave mund t’ju ndihmojë të merrni vendime të rëndësishme për miqtë që keni dhe të siguroheni që marrëdhëniet që krijoni të jenë të shëndetshme. Nëse miqtë tuaj i plotësojnë të gjitha këto pika, atëherë ndoshta duhet ta konsideroni sërish shoqërinë me ta.