Rajoni Sport

Ndeshja me Rumaninë, FFK-ja paralajmëron ankesë në UEFA!

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se dënon ashpër “provokimet dhe sjelljet raciste” gjatë ndeshjes me Rumaninë e paralajmëroi se do të paraqesë ankesë në shtëpinë europiane të futbollit.

Thirrjet si “Kosovo is Serbia” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë.

Më shumë se dy herë kemi paralajmëruar me shkrim organet e UEFA-s për veprime të tilla, madje disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta para fillimit të saj në Bukuresht. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit.

FFK tha se përveç asaj që ndodhi në fushën e gjelbër, gjatë konferencës për media të Kombëtares së Kosovës pas ndeshjes, një zyrtar rumun hyri në konferencë e largoi gazetarët, duke shtuar se ky zyrtar “kërcënoi dhe sulmoi një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit”.

Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet te delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s. Besojmë që UEFA do të veprojë në bazë të vlerave të saj dhe do të dënojë ashpër gjuhën raciste dhe veprimet e tjera të papranueshme që ndodhën gjatë kësaj ndeshjeje.

Rumania dhe Kosova po përballeshin në një ndeshje të rundit të pestë në Grupin C të Ligës C, kategorinë e parafundit në Ligën e Kombeve. Rumania është lidere e grupit me 12 pikë dhe i nevojitej vetëm një barazim me Kosovën për ta siguruar promovimin në Ligën B.

Ndërkohë, Kosova, që ka 9 pikë, synonte ta mposhte dje Rumaninë e të fitonte ndeshjen e fundit në grup kundër Lituanisë në Prishtinë dhe të shpresonte që Rumania të ndalej së paku me një barazim nga Qiproja për të pasur mundësinë ta fitonte grupin.

Rumania është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian, bashkë me Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.