Aktualitet

Ndërtimi mori 73.5% të investimeve të brendshme vitin e kaluar!

Pjesa dërrmuese e investimeve në ekonomi vijon të kanalizohet në sektorin e ndërtimit, sidomos në banesa edhe pse popullsia e vendit është pakësuar ndjeshëm nga emigracioni i lartë. Të dhënat nga censi 2023 treguan se 33% e banesave në të gjithë vendin ishin bosh por sektori i ndërtimit dhe sidomos banesave morën 73,5% të investimeve të brendshme gjatë vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare, pesha e investimeve në sektorin e ndërtimit u zgjerua me 5.7 pikë ndërmjet 2018-2023.

INSTAT-i publikoi treguesin e formimit bruto të kapitalit fiks, me të dhëna për investimet e brendshme materiale dhe jo materiale në ekonominë e vendit. Ky tregues është pjesë e shpenzimeve të Prodhimit të Brendshëm Bruto e tregon sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet, në vend që të konsumohet.

Të dhënat historike tregojnë se fitimet që vijnë nga rritja e PBB-së në pjesën dërrmuese të tyre shkojnë në ndërtim. Në vitin 1996, i pari që INSTAT-i e raporton këtë të dhënë, ndryshimi, për një vend që është mbushur kudo me beton është fare i vogël. Më 1996-ën, pesha e ndërtimit në investimet e brendshme ishte 79.7% ndërsa vitin e kaluar, 73.5%.

Shqipëria doli nga tranzicioni me një popullsi të re në moshë, me plot burime natyrore. Nëse investimet do të kanalizoheshin te njerëzit dhe tek rritja e vlerës së burimeve, Shqipëria do të kishte arritur standardet e BE.

Estonia që ishte nën pushtetin rus deri në vitin 1991, këto 30 vite zhvilloi një sistem arsimor dhe investoi në burimet njerëzore, çka e bënë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë bazuar në teknologji e në novacion. Estonia ndërtoi një nga sistemet arsimore më të mira në rang global e është më e digjitalizuara në Europë.

Ekspertët pohojnë se në afatin e shkurtër, investimi në ndërtim mund të ndikojë në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës por që në afat të gjatë, nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Teksa kanalizoi në ndërtim rreth 70% të fitimeve në tre dekadat e fundit vendi ynë ka mbetur shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe në Europë.

Varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit në Shqipëri ishte më e larta në Europë në vitin 2023, sipas të dhënave që janë përditësuar nga Eurostat-i. Në vitin 2023, shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB)  në Shqipëri ishin 19.1%, nga 18.8% më 2022-shin.

Kjo shifër është më e larta në Europë ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%. Vendi i dytë pas Shqipërisë ishte Rumania, me 17.9%, e ndjekur nga Suedia, me 15.7%./Monitor