Aktualitet

Ndërtimi i rrugës që lidh aeroportin e Vlorës me autostradën, miratohet fondi për shpronësimet!

Sot në mbledhjen Këshillit të Ministrave u vendos të caktohet fondi prej 957 852 lekësh për të realizuar disa shpronësime përgjatë aksit Fier-Vlorë, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga lidhëse e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës (VIA)’. Procesi shpronësimeve pritet të realizohet brenda 3 muajve.

Vendimi i marrë sot nga qeveria shqiptare vjen në kuadër të punës, që po zhvillohet për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, si një pikë e re hyrëse në vendin tonë në zonën jugperëndimore të vendit. Ai pritet të jetë gati në verën e vitit 2025. Sa i takon punimeve për ndërtimin e Aeroportit të ri Ndërkombëtar të Vlorës, aty ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës dhe tashmë po punohet me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025.

Në vendim, qeveria bënë të ditur se “ka vendosur, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtim rruga lidhëse e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës (VIA), autostrada Fier – Vlorë”.  Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar”.

Në vendim bëhet me dije se “pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 957 852 lekësh. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 957 852 lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 lekë, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar”, thuhet në vendim.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA), një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila i mungon shtetit shqiptar.

VIA do të jetë porta e hyrjes në jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA-s dhe TIA-s do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.

Ky aeroport do të kontribuojë në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit dhe do të transformojë jugun e Shqipërisë në një hotspot turistik, të aftë për të tërhequr investime të huaja direkte në sajë të një aeroporti të vendosur më pak se 1 orë larg atraksioneve turistike dhe urbane.

Me veprimtarinë e aeroportit të Vlorës, vendi do të përfitojë nga linjat me kosto të ulët që do të hyjnë në treg, si dhe do të nxisë investitorët për të zhvilluar aeroportin dhe infrastrukturën e turizmit në zonë