Aktualitet Politikë

Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, 15 kompani interes! Rama: Impakt në ekonomi dhe…

Gara për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano të Durrësit është hapur dhe 15 kompani ndërkombëtare kanë shprehur interes. Ky është një ndër projektet më të rëndësishme për vendin tonë, që pritet të sjellë impakt të lartë në ekonomi.

“E shkuara jonë është njësoj si porti i Durrësit në qendër të qytet. Një plagë mjedisore, një plagë fizike që ka bërë në vazhdimësi dëm të madh për perspektivën dhe imazhin, por edhe një plagë në aspektin socio-ekonomik, se gjithë ajo rrëmujë e kaos ka qenë një zonë e errët e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi i portit tregtar nga qendra e qytetit dhe vendosja këtu, tërësisht me një tipologji, me karakteristika dhe përmasa të reja është hapja e një kapitulli të ri në historinë e qytetit, por edhe në historinë e ekonomisë sonë kombëtare”, tha Rama.

Projekti do ketë edhe impakt në sigurinë e vendit, ndërsa siç e ka deklaruar edhe më Parë, Rama tha se pranë portit do të ngrihet edhe baza ushtarake detare e NATO-s.

Do jetë vetëm një port që do impaktojë PBB, por do impaktojë edhe sigurinë tonë se siç e ka paraparë grupi i projektimit, do ketë edhe krahun e vet ushtarak, duke i ofruar natos bazë të re ushtarake me parametra optimalë. Ky port që ndërtohet nga e para, është një porti i ri në Europë pas shumë dekadash.

Ndërtimi i portit të ri tregtar të Porto Romanos pritet të përfundojë brenda vitit 2026. Kostoja totale e këtij projekti që do të financohet me fonde buxhetore do të jetë 391 milionë euro. Porti tregtar po zhvendoset në Porto Romano, për shkak se në Durrës do të ndërtohet porti turistik.

Një ekspertizë ndërkombëtare do merret me tenderimin, negocimin dhe monitorimin e kontratës për ndërtimin e portit të ri. Faza e tenderimit do të zgjasë 45 ditë dhe në muajin mars ose prill pritet nënshkrimi i kontratës fituese.

Kryeministri Rama tha se me këtë projekt jo vetëm që do t’i japin një hov zhvillimi qytetit të Durrësit, por do i transformojnë edhe imazhin. Për kreun e qeverisë, zhvendosja e portit tregtar në periferi i jep zgjidhje një plage mjedisore në qytetin bregdetar të Durrësit.