Christopher Ciccone, vëllai më i vogël dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Madonna-s, ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare. Përfaqësuesit e tij konfirmuan vdekjen për mediat e huaja, duke deklaruar se ai vdiq nga kanceri të premten (4 tetor) në Michigan.
Duke punuar ngushtë me Madonna-n në karrierën e saj, Ciccone ishte një artist dhe stilist me profesion. Ai shërbeu si drejtor artistik në turneun botëror të Madonna-s, ‘Blond Ambition’, në 1990 dhe ishte gjithashtu drejtor i turneut për ‘The Girlie Show’ në 1993.
Christopher njihej gjithashtu si një nga kërcimtarët e saj të rregullt, duke u shfaqur në videoklipin e saj muzikor të vitit 1984 për “Lucky Star” dhe një numër të performancave të saj televizive. Në vitet ’90, drejtoi gjithashtu videoklipe muzikore për yje si Dolly Parton në këngën “Peace Train” e vitit 1997 dhe “God Bless the Child” e Tony Bennett në të njëjtin vit.
Dyshja ishin shumë të afërt, ku mësuan të kërcejnë dhe të performojnë së bashku kur ishin fëmijë. Ata kishin katër vëllezër e motra të tjerë, Anthony, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar, Martin, Paula dhe Melanie. Vdekja e Ciccone vjen më pak se dy javë pas vdekjes së njerkës së tij dhe Madonna-s, Joan Clare Ciccone, e cila gjithashtu ndërroi jetë nga kanceri.