Aktualitet

Ndërron jetë ish-kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini!

Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë e të pashërueshme, ish-kryetari socialist i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Për tre mandate, Sejdini drejtoi Bashkinë e Elbasanit, nga viti 2007 e deri më 2019-ën, kohë kur vendosi të mos rikandidonte, por mbeti ndër drejtuesit më jetëgjatë të Elbasanit.  Sejdini pati deklaruar se gjykon që misionin e tij si kryebashkiak po e mbyllte me sukses dhe se për këtë ndihej krenar para gjithkujt.

Qazim Sejdini lindi në Elbasan, më 12 shkurt të vitit 1951. Pasi ndoqi Shkollën e Mesme “Jeronim De Rada”,  vazhdoi studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në degën e Edukimit Fizik. Po ashtu, në vitet 1973-1978 vazhdoi studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, në degën Histori-Gjeografi. Në vitet 1983-1987 ishte student i Institutit të Edukimit Fizik “Vojo Kushi” në Tiranë.

Në vitin 1970, Sejdini kreu shërbimin ushtarak e punoi si mësues i Historisë, Gjeografisë dhe Edukimit Fizik në shkollën 9-vjeçare të Labinot Malit. Në vitin 1974, u emërua instruktor i Komitetit të Rinisë në Elbasan. Në vitet 1983-1992, punoi në Sport Klub “Elbasani”, fillimisht si Inspektor i Lojrave me Dorë e më pas zuri vendin e Shefit të Klubit të Sportit të Elbasanit.

Sa i përket angazhimeve të tjera, në vitin 1995, Qazim Sejdini u zgjodh President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Elbasanit. Një vit më vonë, u zgjodh President i Shoqatës së Doganierëve të Shqipërisë dhe nga maji i vitit 2002 e deri në maj 2004, ka qenë në krye të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë. Në tetor të vitit 2002 e deri në maj të 2005-ës ka mbajtur postin e Prefektit të Prefekturës së Elbasanit.