Aktualitet

Ndërrimi i shefave në QSUT, gati kriteret e përzgjedhjes!

Këtë javë, përmes konkursit pritet të hapet gara për kandidatët e rinj pasi do të ndërrohen shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, QSUT.

Tashmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave, udhëzuesi me kriteret e reja për kandidatët që duan të marrin në dorë drejtimin e shërbimeve shëndetësore në qendrën më të madhe spitalore në vendin tonë.

Që të marrë pjesë në këtë garë, minimumi që duhet të plotësojë një kandidat është që të jetë doktor shkencash. Po ashtu, një tjetër kriter është që kandidati për shef shërbimi të ketë qenë pedagog për të paktën 8 vite radhazi, pra pa ndërprerje, në fushën ku konkurron.

Në shtator të këtij viti i përfundon kontrata shefave aktualë, të cilët do t’i lënë vendin pasuesve. Ndërkaq, në udhëzimin e ri janë përcaktuar edhe pikët e vlerësimit. Nëse kandidati ka vetëm gradën Doktor Shkencash, ai vlerësohet me pesë pikë, Profesor i Asociiuar me dhjetë pikë e nëse ka titullin Profesor, ka 15 pikë.

Ndërkohë, projekti i tij bashkë me vizionin për të drejtuar një shërbim për katër vite, vlerësohet me 53 pikë dhe po kështu, komisioni do të vlerësojë aftësinë profesionale e organizative në strukturat shëndetësore me 14 pikë.

Të gjithë kandidatët konkurrues do t’i nënshtrohen vlerësimit të një komisioni të posaçëm, madje kandidati fitues do të lidhë kontratë si me drejtuesin e institucionit të arsimit të lartë, në këtë rast me Rektorin e Universitetit të Mjekësisë, ashtu edhe me drejtuesin e strukturës shëndetësore, pjesë e së cilës është shërbimi që ai do të drejtojë.

Për shkak të moshës së pensionit disa nga shefat e QSUT-së që për katër vjet kanë drejtuar shërbime të rëndësishme, të tilla si Kardiologjia, Nefrologjia apo Sëmundjet e Brendshme, nuk do të mund të marrin pjesë në garë, duke ua lënë vendin emrave të rinj që synojnë të kandidojnë.